Site icon PrishtinaPress

Haradinaj: As pas 21 viteve nuk ka drejtësi për masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan

Deputeti dhe shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, ka përkujtuar sot 21-vjetorin e masakrave në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan, duke thënë se sot 21 vjet më parë agresori serb kreu krime të paimagjinueshme mbi këto fshatra.

Haradinaj ka thënë se përkundër që kanë kaluar 21 vite, ende nuk ka drejtësi për këto masakra, që ai i ka quajtur makabre.

“21 vjet kaluan dhe ende nuk ka drejtësi për këtë masakër makabre. Qyshku dhe familjet Lushi, Qeku, Gashi, Kelmendi, Avdylaj, Berisha, Vërnezi, Shala, Dinaj, Mushkolaj, Sharapolli, Krasniqi, i dhanë Kosovës 47 anëtarë të familjeve të tyre. Po atë ditë në fshatrat Zahaq, Pavlan e Llabjan, agresori serb kreu krime të paimagjinueshme me total 107 martirë të rënë në këto 4 fshatra”, ka shkruar shefi i deputetëve të AAK-së.

Në fund, Haradinaj ka shkruar se liria e Kosovës është e shtrenjtë.

“Toka jonë është e larë me gjakun e martirëve dhe dëshmorëve, liria jonë është e shtrenjtë. Përjetë në kujtesën tonë. Lavdi”, ka shkruar Haradinaj.

Exit mobile version