Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se angazhimi i shqiptarëve të Amerikës për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza.
Sipas Haradinajt komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesor të kauzave për të drejtën shqiptare.
“Në fund të vizitës në Amerikë, Baca Rrustë na bashkoi për darkë me shumë vëllezër shqiptarë që ishin shtyllë e madhe e kauzës sonë kombëtare për gjysmë shekulli në SHBA. Për të gjithë ne, komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesor të kauzave për të drejtën shqiptare. U ndjeva mirë pranë tyre, teksa zhvilluam një diskutim të sinqertë dhe të hapur për zhvillimet në Kosovë dhe për çështjet me interes kombëtar”, ka thënë Haradinaj.
“Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Harry Bajraktari, Elmi Berisha, Mark Gjonaj, Martin Shkreli, Gani Shehu dhe gjithë vëllezërit e tjerë që ishin prezent, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm në aspiratën tonë për liri, pavarësi e forcim të shtetësisë, duke shërbyer si shembull i shkëlqyer se si punohet për kombin nga çdo cep i botës”.
“I kërkova që në rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësojmë dialogun strategjik me Amerikën dhe mbi të gjitha anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ndërsa e falënderova Ambasadorin e Shqipërisë në OKB, z. Ferid Hoxha për punën e tij të jashtëzakonshme”, është shprehur Haradinaj.