Site icon PrishtinaPress

Haradinaj: AAK dhe Nisma, boshti opozitar, nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti (Video)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk do të vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, madje as ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kështu ka deklaruar vet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për KosovaPress.
Por, ai ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Isa Mustafa, duke thënë se ai është i pa aftë për të qeverisur vendin.
“Ne po punojmë që t’i fitojmë zgjedhjet. Boshti opozitar është AAK e Nisma, dhe qëllimi është me i fituar zgjedhjet. Nëse i fitojmë do të zgjedhim partner. Por nëse nuk i fitojmë zgjedhjet nuk do të vendosim vija të kuqe dhe s’kemi vendos. AAK dhe Nisma jemi në koalicion parazgjedhor, pra është boshti opozitar AAK – Nisma, dhe mund të jemi të hapur edhe për figura të tjera politike, publike dhe për qytetarët“, tha Haradinaj.

Ndërsa nuk kanë munguar as kritikuat që i ka drejtuar kah kreu i Qeverisë, duke thënë se gjatë kësaj kohe të qeverisë Mustafa, nga Kosova janë larguar numër i madh i njerëzve duke kërkuar gjetkë për një jetë më të mirë.
“Nuk kamë pasur ndonjë pritje për këtë kryeministër, për shkak se nga ajo që kamë mbërri me e njohur unë e kam ditë se sa është i dobët dhe është i pa zoti, është i pa aftë. E kemi parë edhe gjatë qeverisjes në Prishtinë, e kamë parë gjatë partneritetet, ai nuk është adekuat për një vend si është Kosova me udhëheq ekzekutivin e këtij vendi. Mirëpo, është fat i keq i Kosovës që po humbim në njerëz. Numri më i madh i njerëzve po e kërkojnë jetën jashtë vendit, dhe po e humbim sigurinë. Që siguria po ashtu është ekonomi, pa siguri nuk investohet“, tha Haradinaj.
Vendi ynë po e humb sigurinë, aq më tepër që jemi pjesë e një zone jo stabile në Ballkan. Mos njohja nga Serbia dhe mos shtrirja e juridiksionit në tërë territorin e vendit, e bënë Kosovën më të ndjeshëm në aspektin e sigurisë, ka thënë Haradinaj.
“Situata, siguria është më e brisht. Jemi shtet i ri, jemi shtet në një zonë jo aq stabile në Ballkan. Mos njohja nga Serbia, mos shtrirja e juridiksionit tonë në gjithë territorin e vendit, mos kontrollimi i kufijve e bën më të ndjeshme gjendjen në Kosovë. Ne jemi të kujdesshëm gjithë kohën që të ndihmojnë që Kosova të konsolidohet në siguri, rend dhe ligj. Sa më shumë të kemi siguri dhe rend e ligj jemi edhe më të lirë, jetojmë ma të lirë edhe ma të mbrojtur. Ndërkohë janë edhe disa rreziqe që janë globale si terrorizmi edhe lëvizje që e ndihmojnë terrorizimin. Kosova duhet të jetë e pa kompromise në to, jo për ndonjë arsye tjetër apo për hatër të dikujt tjetër po për hatër të qytetarëve të këtij vendi. Duhet t’i mbrojmë qytetarët e këtij vendoi nga cilido rrezik“, tha Haradinaj.
Haradinaj mendon që shumë çka do të qartësohet me kohë, përfshirë këtu edhe lëvisjet e dyshimta në Kosovë, të cilat ndihmojnë terrorizmin dhe vrasjet e njerëzve të pa fajshëm, e të cilat Kosova duhet t’i luftojë pa kompromise. /PrishtinaPress.eu

Exit mobile version