Krejt në fund të vitit, kur edhe mbyllen afatet ligjore për ekzekutimin e buxhetit për këtë vit, Komuna e Gjilanit ka hapur tenderin për renovimin e stadiumit të qytetit.
Në njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), afati për aplikim në këtë tender mbyllet më 16 janar të vitit të ardhshëm. Vlera e parashikuar e këtij projekti është 15 milionë euro dhe është bashkëfinancim midis komunës dhe Ministrisë së Kulturës.
“Qëllimi i këtij Memorandumi të Bashkëpunimit ( MB ) është mbështetja financiare për projektin në fjalë, i cili si pjesë e Planit 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit, do të implementohet dhe funksionalizohet gjatë viteve 2023-2028.
Në bazë të Memorandumit midis Komunës së Gjilanit dhe MKRS-së me nr.prot.4894/2023 zhvillohet aktiviteti i prokurimit pasi është mbështetje financiare për projektin në fjalë.
Afatet kohore për fillimin dhe/ose përfundimin e kontratës: në 24 muaj”, thuhet në njoftimin e KRPP-së.
Por ende nuk dihet nëse edhe pas 15 milionësh euro investime, ky stadium do të plotësoi kriteret e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve në arenat ndërkombëtare.
Ndërkohë në seancën e sotme në Kuvend kishte shumë kritika dhe debate derisa deputet nga opozita, kanë kritikuar Qeverinë, pikërisht për projektet që kanë të bëjnë me renovimin e stadiumeve sportive.
Është propozuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të alokohen 10 milionë euro për renovimin e stadiumeve rajonale ekzistuese.
“Klubet tona u detyruan të shkonin në Shqipëri për të zhvilluar ndeshjet. Është e pafalshme dhe kështu nuk mund të udhëhiqet Ministria e Sportit” tha deputeti nga radhët e PDK-së Bekim Haxhiu.
“Për inate politike e rajonale që të stopohet një interes nacional. Stadiumi nacional në të cilën është bërë studimi i fizibilitetit është bërë projekti detaj janë shpenzuar mbi 1 milion e gjysmë euro për të dhe për këto shpenzime ka me dhënë llogari Ministria e Sportit edhe për stopimin e ndërtimit të stadiumit nacional.
Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës sot nga foltorja e Kuvendit ka treguar për ndarjet buxhetore që i kanë paraparë për stadiumet rajonale. Teksa fajin për gjendjen e stadiumit nacional “Fadil Vokrri” ia ka lënë Komunës së Prishtinës.
“Renovimi i stadiumeve ekzistuese në qendrat rajonale është i buxhetuar me 5 milionë euro në KASH, renovimi i stadiumit “Adem Jashari” është i buxhetuar në tërësi, stadium i Gjilanit është i buxhetuar në tërësi 15 milionë euro në buxhet, ai i Pejës me 14.5 milionë në buxhet ai Gjakovës 4 milionë, stadiumi i Ferizajt me 12 milionë dhe të tjerë, të cilat tregojnë përkushtimin e kësaj qeverie për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vend. Ministria bashkë më federatën tashmë e kanë nisur renovimin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri’. Ndërkohë Komuna e Prishtinës nuk ka marrë asnjë masë serioze për ta parandaluar atë pamje që e kimi parë para disa ditësh“, tha Çeku.