Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka udhëtuar për në Itali, ku të martën do të hapë “Forumin Ekonomik për Kosovën”, i cili do të mbahet në Romë.
Veseli do t’u drejtohet investitorëve italianë me ftesën për të eksploruar mundësitë e shumta ekonomike në Kosovë, si dhe do t’i sigurojë ata për mbështetjen ligjore dhe institucionale që ofron Republika e Kosovës për investitorët e huaj.
Në këtë Forum Ekonomik, kryetari i Kuvendit do të shpalosë mundësitë dhe përfitimet që kanë investitorët e huaj, pasi Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Përveç Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në këtë Forum Ekonomik pritet të jenë të pranishëm edhe kryeministri Isa Mustafa dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe zv.ministri i Jashtëm, Emanuel Demaj.