Ministri i Mbrojtjes të Shqipërisë Niko Peleshi njoftoi sot hapjen e bazës ushtarake ajrore të Kuçovës.
Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të bazës së re të NATO-s në Kuçovë, Peleshi ka deklaruar se do jetë baza kryesore e Forcave Ajrore të Shqipërisë ndërsa theksoi se kjo është një pikë strategjike për Aleancën dhe për rajonin.
“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s”, nënvizoi Peleshi.
Ministri u shpreh se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të jetë nyje lidhëse për vendet e rajonit.
“Helikopterët Black Hock dhe dronët “Bajraktar” janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimet në bazë. Numri i tyre do rritet ndjeshëm në vijim”, shtoi ai.
Gjithashtu, ministri nënvizoi se kjo bazë ka kapacitet për përballjen me fatkeqësitë natyrore.
“Jo më larg se dy vite më parë askush nga ne nuk e kishte menduar që Evropa do të përballej me një agresion të tillë, siç po ndodh me agresionin rus në Ukrainë. Baza është një aset për të gjithë rajonin, ne do vijojmë përpjekjet për të vënë në përdorim të NATO-s edhe portin ushtarak të Porto Romanos”, tha Peleshi.
Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.
Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.
Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Amerikan të shtetit Anthony Bliken.
Shefi diplomacisë amerikane deklaroi se kjo bazë do të ketë ndihmën e të gjithë vendeve partnere në NATO për pajisjen e saj me teknologjinë më të fundit.