2.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Hanit të Elezit i pezullohet një projekt, shkak masat e BE-së

Në Komunën e Hanit të Elezit janë duke vijuar disa projekte që pritet të përmirësojnë jetesën e qytetarëve, thotë kryetari Mehmet Ballazhi. Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës e kanë pezulluar projektin që lidhet me trajtimin e lumit Lepenc.

Kryetari Ballazhi në një intervistë për KosovaPress fol edhe për një vendim te gabuar të qeverisë që po ndikon në buxhetin e komunave dhe shprehet i pakënaqur me bashkëpunimin me nivelin qendror.

Projekti i trajtimit të mbetjeve të lumit Lepenc, që në komunën e Hanit të Elezit ka mbetje nga azbesti, e në të cilin janë të përfshirë edhe komunat e Artanës dhe Obiliqit, ka mbetur pezull. Shkak sipas Ballazhit janë masat e BE-së ndaj Kosovës.

“Para një jave kemi pasur një takim me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian dhe janë diskutuar edhe këto çështje, Hani Elezit, Artana, Obiliqi. Është në një projekt i Bankës Botërore me një shumë, ne dhe Artana i kemi 15 milionë euro, është trajtimi i mbetjeve të rrezikshme në lumin Lepenc e që këtu ne kemi mbetje nga azbesti, në atë projekt jemi ne dhe Artana me 15 milionë dhe 5 milionë të tjera janë Obiliqi, tani Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian për shkak të masave që është dashur edhe 24 milionë t’i bashkëngjiten këtij fondi do të thotë 45 milionë për shkak të këtyre masave jemi të hendikepuar për të filluar me këtë projekt edhe pse jemi në fazën e parë kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të kalojë përmes Qeverisë në Kuvend dhe pastaj të fillojë me implementimin e projektit. Ky projekt do të jetë jetik për Hanin e Elezit sepse trajtimi i lumit Lepenc është shumë me rëndësi për ne për shkak të mbetjeve të azbestit si mbetje të rrezikshme dhe besoj do të pastrohet dhe krijohet vend rekreativ për qytetarët”, tha Ballazhi.

Kuvendi i Kosovës javë më parë kaloi edhe propozimin e Qeverisë për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë. Për Ballazhin ky është një vendim i gabuar që ndikon në buxhetin e Komunave.

Ai tha se më mirë është dashur që Qeveria e Kosovës të subvencionojë qytetarët dhe pagesa të mos ndalet.

“Nëse unë pyetem si vendim është i gabuar, për mendimin tim është i gabuar, sepse qytetarët duhet të paguajnë, për obligime që dalin, dhe janë të gatshëm të paguajnë, dhe paguajnë rregullisht, neve na dëmton, edhe pse buxheti i komunës është tepër i vogël, nëse falen edhe këto borxhe janë të gabuara. Kjo ish dashur ndoshta që qeveria ta ketë në fokus që ata t’i subvencionojnë qytetarët, t’i mbështesin, edhe ashtu ne me ligj nuk kemi të drejtë të falim borxhe. Nëse qeveria ka mjete është dashur t’i subvencionojë përmes mundësive që i kanë ata, por jo me e zhvendos te komuna apo te kryetarët e komunave sepse është hendikep i buxhetit pastaj për neve”, tha Ballazhi.

Kreu i Komunës së Hanit të Elezit përmendi disa projekte, siç është ai i parkut të qytetit, funksionalizimi i fabrikës së ujit të pijes, ndërtimi i aneksit në urën e lumit Lepec si disa prej projekteve më me ndikim që janë duke vijuar aktualisht.

“Vërtetë ka shumë rendësi ndikimi i çdo projekti tek qytetarët, këtu jemi fokusuar më shumë që çdo projekt që ne ta implementojmë të ketë ndikim 100% te qytetarët dhe shihet që ka një përmirësim të jetës së tyre në kuptimin e lëvizjes, dinamizmit. Tani për mirëqenien nuk mund të themi, por çështje rekreative, kohën e tyre ta zhvendosin nga përditshmëria monotone të kalojnë në parqe rekreative. Kjo sigurisht që ka ndikuar, ose aneksi i urës të lumit Lepenc, është projekt i vogël nga qeveria japoneze po që ka ndikuar në sigurimin dhe përmirësimin e sigurisë për qytetarët dhe sidomos për fëmijë dhe të tjerët që lëvizin nga lumi në anën tjetër, tani jemi në një fazë të një rruge që është e rëndësishme, rruga ‘Adem Jashari’ që lidhet me rrugën ‘11 Qershori’, projekt që e financon Ministria e Infrastrukturës. Me këtë rast dua të falënderoj z. (Hysen) Durmishin i cili na ka mbështetur me këtë projekt dyvjeçar. Besoj që këtë vit do të fillojë, në shumën prej 50 mijë euro, do të kryhen punimet. Vitin tjetër do të përfundojë i tëri që bën një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë në makinat e tyre se gjithmonë janë krijuar aty komplekse ose komplikime të lëvizjes me makina”, tha Ballazhi.

Pavarësisht që i kanë financuar tri projekte, Ballazhi nuk është i kënaqur me bashkëpunimin që ka me pushtetin qendror. Sipas tij, përkundër disa vizitave që i kanë pasur nuk ka pasur mbështetje të madhe për projektet e Hanit të Elezit.

Ai tha se projektet e tyre nuk janë të mëdha por shumë të rëndësishme për komunën.

“Jo, nuk jam i kënaqur, normalisht që s’jam i kënaqur me bashkëpunimin që e kemi me ata. Ne iu kemi bërë ftesë të gjithëve, që nga kryeministri deri tek i fundit që është në qeveri, që të vijnë këtu ose të shkojmë atje… Përndryshe nuk ka ndonjë shumë të caktuar që neve do të na krijonte lehtësira më të mëdha për zhvillimin këtyre projekteve sepse Hani i Elezit është komunë e vogël, projektet nuk janë aq të mëdha por janë shumë të nevojshme bazuar në atë se jemi komuna e parë që qytetarët nga jashtë Kosovës vijnë te Hani i Elezit për të krijuar një pasqyrë, një imazh, më të mirë të na mbështesin sepse edhe ne jemi pjesë e këtij buxheti, pjesë e Kosovës dhe është shumë e rëndësishme që një qytet kufitar të ketë një mbështetje më të madhe”, tha Ballazhi.

Ballazhi thotë se është duke punuar për të tërhequr investitorë të huaj në Han të Elezit. Ai thotë se janë në negociata me një kompani izraelite për prodhimin e energjisë alternative duke vënë panele diellore në këtë komunë.

Kreu i Hanit të Elezit ka pasur fjalë të mira edhe për kompaninë “Sharrcem” për të cilën tha se kontribuojnë në vazhdimësi për komunitetin.

“Në këtu më shumë kemi kompaninë ‘Sharrcem’ që është një kompani gjigande që ka rreth 250 punëtorë që punojnë aty por ka rreth 500-600 familje që jetojnë përmes punës që kanë të kontraktuar ose nënkontraktuar me kompani te ndryshme që përfitojnë nga kjo kompani. ‘Sharrcemin’ nuk mund ta përkrahim por kemi krijuar bashkëpunim të mirë, të cilën dua të falënderoj menaxhmentin e ‘Sharrcemit’ që na ka ndihmuar me disa projekte qofshin të vogla por janë shumë të rëndësishme jetike për Hanin e Elezit, sidomos ordinancën stomatologjike që ata e paguajnë ,edhe stomatologun, edhe infermierin, që për një vit kemi një kontratë që ata e paguajnë, pastaj kemi ujin ne fshatin Goran që pompat dhe të gjithë punën e ka investuar ‘Sharrcem’, është laboratori i agrobizneseve edhe ajo i mbështet me projektet të ndryshme fermerët, kemi bashkëpunime të mira me bizneset private por mundësit për me i mbështet përveç komunikimit dhe bashkëpunimit nuk kemi”, u shpreh Ballazhi.

Në lidhje me ankesat për ndotje nga kjo kompani, Ballazhi tha se është ulur dukshëm niveli dhe se monitorojnë në vazhdimësi nivelin e ndotjes, por që edhe për këtë çështje ka një bashkëpunim të ngushtë me “Sharrcem”.

“Krahasuar me ndotjen e mëhershme që jemi dëshmitarë të asaj ndotje është një përqindje e madh që e ka ulur këtë ndotje, siç është edhe Ministria e Ambientit përmes drejtorive të ambientit që edhe e monitorojnë edhe i japin rekomandime ne bashkëpunim edhe me ne për ndërrimin e filtrave dhe pakësimin e ndotjes së ambientit, kemi edhe një monitorues te vendosur te shkolla fillore që po mendoj ta zhvendosim diku tjetër, që e bënë matjen se sa është ndotur ambienti, por krahasuar me kohën më herët kur ka pasur ndotje të mëdha është në rënie, ka rënë shumë por në rënie e sipër ne jemi në bashkëpunim me ‘Sharrcemin’ që të ulet kjo ndotje”, tha Ballazhi.

Këtë kohë, sikurse në çdo komunë tjetër, edhe në Han të Elezit, bashkatdhetarët kanë ardhur për pushime të verës. Muajin e kaluar ka pasur takim të kryetarit me diasporën, ndërsa janë organizuar edhe koncerte.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img