“Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës” rrezikon të mbyllet në mungesë të mbështetjes financiare.
Të shqetësuar janë shprehur personat me aftësi të kufizuar, e familjarë të tyre të cilët thonë se shërbimet e marra ndër vite në këtë qendër u kanë ndihmuar shumë. Vetëm këtë vit rreth 350 personave me aftësi të kufizuar u janë ofruar shërbime nga “Handikos”.
Shërbimet të cilat i merrnin që gati dy dekada në Shoqatën “Handikos”, personat me aftësi të kufizuar që jetojnë në Prishtinë, rrezikojnë të mos i marrin më.
Kjo pasi e njëjta rrezikon të mbyllet në mungesë të mbështetjes financiare.
Të shqetësuar janë shprehur familjarë të këtyre personave, të cilët thonë se kostoja për marrjen e shërbimeve jashtë kësaj qendre është e shumë e lartë.
Drejtori i “Handikos”, Afrim Maliqi, tha se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës e institucionet tjera në lidhje me ofrimin e mbështetjes financiare.
Personat me aftësi të kufizuar bashkë me familjarë të tyre kanë paralajmëruar edhe protesta nëse kërkesa e tyre nuk realizohet.