Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Context” në ATV, ka folur edhe për programin e tij për ndërtimin e një termocentrali me gaz.
Sipas Hamzës, ky termocentral mund të ndërtohet për 4 vjet nëse fillon me kohë.
“ Sektori i energjisë është shyllë e zhvillimit ekonomike. Ne e dimë që kemi një diskrepancë bukur të madhe mes kapaciteteve prodhuese dhe konsumit. Kapacitetet prodhuese kryesisht i kemi mbi bazën e thëngjillit dhe janë të stërvjetëruara. E dimë që “Kosova A” është e viteve të ’60 dhe “Kosova B”, e viteve të ’80 dhe kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe jemi vonuar si Kosovë, të gjitha qeveritë pa dallim. Jemi vonuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe për këtë drejtim dhe për këtë qëllim unë jam shumë i përkushtuar që t’i rrisim kapacitetet prodhuese. Dhe të gjitha resurset e mundeshme me i pas si alternativë edhe gazin, edhe energjinë e ripërtritshme, hidro kemi kapacitete të limituara. Por realisht viteve të fundit ka pasur mungesë edhe për shkak tash mes Rusisë dhe Ukrainës, furnizimit me gaz në Evropë, disa vende shumë të zhvilluara evropiane kanë filluar që t’i riaktivizojnë edhe termocentralet e tyre. Prandaj ne do t’i kemi në konsideratë të gjitha potencialet e mundshme, gjithmonë duke i respektuar edhe rregullat. Por çka është e sigurt, ne kemi nevojë për kapacitete të reja gjeneruese dhe sigurisht se një prej tyre është edhe ndërtimi i kapaciteteve mbi bazën e gazit që ka qenë edhe një projekt dhe unë do të jem shumë insistues që ai projekt të kryhet dhe të fillojë me kohë. Kur jemi te ndërtimi i kapaciteteve të reja në këtë drejtim, duhet ta dimë se përveç aspektit financiar si kosto edhe koha e ndërtimit me ekspertët që kam biseduar, është 3 më e shkurta por optimalja është 4 por mund të jetë edhe 5 vjet. Prandaj kjo duhet të startohet, duhet të fillojë, sepse mungesa e energjisë elektrike është pengesë për zhvillimin ekonomik. Ne e shohim bizneset çfarë kosto po paguajnë, ekonomitë familjare, por përtej kësaj e përkeqëson deficitin tregtar sepse ne po importojmë shumë energji elektrike dhe e cenon stabilitetin maktofiskal në fazën e fundit nëse vim te një kolaps i kapaciteteve ekzistuese energjetike për shkak të vjetërsisë, atëherë ne detyrohemi ose me u përball në periudha të gjata kohore me mungesë të energjisë elektrike ose me importu dhe kur të importojsh çmimet munden me qenë shumë të larta”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, në bazë të përllogaritjeve që janë bërë, për ndërtimin e këtij termocentrali do të nevojiten rreth 800 milionë euro.
“Mendoj që me u fillu në kohë arrin në një periudhë afatmesme me u ndërtu. Sikurse që është edhe kostoja e përllogaritur, këto tash ndryshojnë por po flasim se dikund duhet ti kemi në dispozicion për me ndërtua kapacitete të reja, kur po flas kapacitete të reja, kapacitete në pronësi publike. Por jemi duke folur diku përafërsisht rretj 800 milionë euro që ki me i investue në kapacitete të reja për me fitu kapacitete të reja të një madhësie të caktuar”, u shpreh Hamza.