Kreu i Mitrovicës, Bedri Hamza ka bërë të ditur se objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është duke marrë formë.
Hamza ka bërë të ditur se ka parë punimet afër së bashku me Halil Kastrit, nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”, që ndërtimi i këtij objekti është bashkëfinancim.
Ai ka thënë se shëndetësia do te jetë prioritet i tij edhe si kryeministër.
“Ashtu siç kam premtuar, projekt pas projekti, po finalizohen. Edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare tashmë ka marrë formë dhe do të jetë një prej qendrave më moderne në rajon. Me mikun tim, Halil Kastratin, i cili me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” po bën punë të jashtëzakonshme, sot i pamë nga afër punimet e këtij bashkëfinancimi dhe jemi të kënaqur me dinamikën e punës. Mitrovica po avancon edhe më tej me shërbime shëndetësore. Ky ishte zotimi im kur qytetarët ma dhanë besimin për të qeverisur me Mitrovicën. Por, shëndetësia do të jetë prioritet i imi edhe si kryeministër.” – ka shkruar Hamza.
Ndër të tjera Hamza ka thënë se me profesionistët më të mir do të shpalosin programin për shëndetësinë, duke u shprehur i bindur se do të avancojnë me cilësinë e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.
“Me profesionistët më të mirë të fushës, së shpejti do ta shpalosim programin për shëndetësinë, ku me mjekët, infermierët dhe tërë personelin shëndetësor, të cilët do të kenë trajtim e paga meritore, jam i bindur që do të avancojmë me cilësinë e shërbimeve për të gjithë qytetarët tanë, anekënd Kosovës. Edhe pritja shumëvjeçare për sigurimet shëndetësore publike do të marrë fund, sepse funksionalizimi i tyre është ndër prioritetet e mia kryesore.”
“Halil Kastratin dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” i falënderoj për mbështetjen e pakursyer në këtë projekt tejet të rëndësishëm për Mitrovicën!” – ka përfunduar Hamza.