Site icon PrishtinaPress

Hamza dhe ambasadori suedez nënshkruajnë marrëveshje në vlerë 3.2 milionë euro

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe i ngarkuari me punën e ambasadorit të Suedisë në Kosovë Anders Wollter kanë nënshkruar sot marrëveshjen për vazhdimin e mbështetjes financiare për projektin për vazhdimin e përmirësimit të sistemit të tatimit në pronë “Pro Tax 2”, në vlerë prej 3.2 milionë euro.

Hamza ka falënderuar Wollter për angazhimin e shtetit suedez për ta ndihmuar Kosovën përmes këtij projekti, njofton ministria.

Ai po ashtu ka vlerësuar  ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit, duke e konsideruar Projektin Pro Tax si një nga projektet më të suksesshme të Ministrisë së Financave duke theksuar që edhe reforma e ndërmarrë së fundmi në fushën e tatimit në pronë është një nga reformat më të rëndësishme për komunat e Kosovës.

Ministri kosovar ka deklaruar se firmosja e kësaj marrëveshje shënon vullnetin e qartë të palës suedeze dhe asaj kosovare për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të ndërtimit të një sistemi efikas dhe modern për administrimin e tatimit në pronë e në veçanti regjistrimin e pronave – tokave ku dhe shprehu  gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të plotësuar me përpikmëri detyrimet të cilat dalin sipas marrëveshjes së bashkëpunimit dhe planit të projektit.

Ndërsa i ngarkuari me punën e ambasadorit të Suedisë në Kosovë Anders Wollter falënderoi Ministrin Hamza për zotimin dhe angazhimin në implementimin e marrëveshjeve me shtetin Suedez dhe shtoi: “unë jam shumë i lumtur që sot arritëm të nënshkruajmë këtë marrëveshje dhe se jam i bindur se kjo marrëveshje është shumë e domosdoshme për shtetin e Kosovës, dhe duke pasur parasysh implementimin e suksesshëm të marrëveshjeve paraprake besoj se kjo nuk do të jetë marrëveshja e fundit, por pas kësaj do të vazhdojmë edhe me marrëveshje të tjera”.

Exit mobile version