Site icon PrishtinaPress

Hamiti: Diskursi i Besnik Bislimit është për gjynah dhe i rrezikshëm

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka quajtur të rrezikshëm diskursin e zëvendës-kryeministrit, Besnik Bislimi, pas shkrimit të këtij të fundit në lidhje me lirimin e tre policëve kosovarë nga Serbia.

Në llogarinë e tij në Facebook, Hamiti tha diskursi trashanik i Bislimit është  i pahijshëm për këdo që merret me diplomaci, teksa të dytin e Qeverisë e kritikoi për denigrim të bashkësisë ndërkombëtare, që sipas Bislimit “po  vendos masa shtrёnguese ndaj demokracisё sё vetme dhe vendit mё properёndimor nё gjithë Ballkanin”.

Postimi i plotë:

Për gjynah por edhe i rrezikshëm është diskursi trashanik i Besnik Bislimit, Zëvendëskryeministër i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës. Ky soj diskursi trashanik – shih postimin e sotëm të Bislimit në facebook – është i pahijshëm për këdo që merret me diplomaci.
Lirimin e tre policëve kosovarë, që u kidnapuan nga forcat serbe në territorin e Kosovës, që ndodhi mbas presioni të madh ndërkombëtar, nga SHBA, nga vende të BE-së, zv.kryeministri Bislimi e quan “lirim të rrejshëm dhe mediatik”.
Kosovën në dy raste Bislimi e quan vendin e vetëm demokratik në Ballkan, një herë kur flet për “rrezikimin e demokracisё sё vetme nё Ballkanin Perёndimor” dhe herën tjetër, në fund të postimit, kur denigron bashkësinë ndërkombëtare që, simbas tij, po “vendos masa shtrёnguese ndaj demokracisё sё vetme dhe vendit mё properёndimor nё gjithë Ballkanin” (sic).
Kosova ka qenë gjatë vendi më properëndimor në Ballkan, sepse populli ynë ka qenë mirënjohës për ndihmën që Perëndimi i ka dhënë vendit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci.
Kosova ka pasur qeveri properëndimore në këto 30 e sa vjet. Pos kësaj të tanishmes, Qeverisë Kurti, Bislimi & Company, ndaj të cilës Perëndimi ka vendosur masa ndëshkuese, dhe po paralajmëron të tjera, masa politike dhe ekonomike.

Exit mobile version