Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka aluduar që raportet e tensionuara të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me kryeministrin shqiptar, Edi Rama mund të jenë të natyrës personale, jo substanciale e politike.
“Është evidente që Qeveria e Kosovës dhe presidentja janë kundër Edi Ramës sa i përket Ballkanit të Hapur. Nuk ka ndonjë sekret këtu. Tani duhet ta analizojmë se a e ka mirë apo keq. Kundërshtia me Ramën është personale, jo substanciale, sepse është i veçantë, ka një oratori, një background të fuqishëm, nuk e përballon askush në debat. Është njëfarë xhelozie… pse po fol ky”, ka thënë Haliti në Pressing të T7.
Haliti ka thënë se Edi Rama është i shkathët në fushën e komunikimit me publikun.
Ai ka sugjeruar që fjalimi i tij i sotshëm në Këshillin e Evropës të jetë një platformë bazë për ndërtimin e një platforme kombëtare.
“Fjalimi i Edi Ramës do të duhej të ishte një platformë e përbashkët e Prishtinës dhe Tiranës, për të punuar si komb”, ka thënë tutje ai.
Deputeti ka shprehur habinë e tij se si, sipas tij, në Kosovë ende flitet më shumë kundër Shqipërisë se kundër Jugosllavisë.
“Po besoj që në Kosovë njerëzit flasin më shumë flasin kundër Shqipërisë se kundër Jugosllavisë në kohën e pasluftës. Nuk e kuptoj këtë, do një analizë të veçantë”, ka thënë Haliti.
Haliti ka thënë se Rama mbron Kosovën në organizata ndërkombëtare ku Kosova nuk ka ende zë, siç është Këshilli i Evropës dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.