Site icon PrishtinaPress

Haliti: Kosova duhet të dakordësohet me aleatët, ndryshe do jetë problem

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për situatën në Kosove dhe përpjekjet e vendit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar SHBA dhe BE.

Po ashtu Haliti ka komentuar edhe delegacionet që priten të vijnë nesër në Kosovë dhe përpjekjet e tyre për ta çuar para procesin e dialogut.

Ai tha se  paketa e evropianëve mund të jetë një paketë joshëse për të dyja palët dhe deri diku mund të jetë formulë detyruese për zbatimin e saj.

Haliti shpreson që Kosova dhe qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do të bashkëpunojë me palën europiane, raporton Abcnews

“Mendoj se do jetë paketë joshëse, për të dyja palët. Tani nuk do të ndalen tek çështje të veçanta, por mund të jetë një paktë se si do të jetë zbatueshmëria e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të zotuara në Ohër. Mendoj se edhe pas miratimit të rezolutës është trajtuar në mënyrë të drejtë në Parlamentin e Evropës dhe po pres dhe po shpresoj që edhe Kurti si kryeministër i Kosovës do të jetë më bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare dhe paketa, e cila besoj se nuk është dëmtuese për Kosovën do jetë shtysa e domosdoshme dhe mbase të mos them e fundit, por mund te jetë detyruese në njëfarë mënyre”, tha Haliti.

Po ashtu deputeti i PDK-së, komentoi edhe deklaratën e Macron për vizat, ndërsa shtoi se më tepër se sa kërcënim, fjala e presidenti të Francës ishte një qortim publik për Kosovën.

“Macron e ka deklaruar se ekziston mundësie në qoftë se Kosova tregohet e padëgjueshme dhe nuk mban fjalën, do ndërmarrim hapin për mos-heqjen e vizave për Kosovën. Ishte jo kërcënim, por qortim publik i Kosovës, që në variantin e tij nuk e ka zbatuar marrëveshjen  dhe ashtu siç nuk e ka zbatuar as Serbia. Zëvendëskryeministri mund të ketë shkuar për të takuar këshilltarë të Macron, por shpresoj që nesër në takimet që do bëhen me ndërmjetësuesin e bisedimeve dhe me përfaqësues te  shteteve kryesore të BE dhe SHBA, që qeveria e Kosovës dhe kryeministri I Kosovës do dakordohen dhe nëse jo, atëherë problem i madh do të jetë edhe për Kosovën”, tha ai.

Në fund ai komentoi edhe thirrjen e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për kryeministrin e Shqipërisë, të cilit i kërkoi të ndihmojë Kosovën në këtë proces “krize”.

Ai tha se Rama ka bërë gjithçka ka mundur dhe roli i tij në ndihmën e dhënë për Kosovën është për t’u përshëndetur.

“Në gjykimin tim nuk ka nevojë askush që ti kërkojë kryeministrit të Shqipërisë që të përpiqet sa më shumë për ta ndihmuar Kosovën. Unë mendoj se ai e ka detyrë atë çështje dhe është e kuptueshme se ai ka bërë gjithçka ka mundur në këtë drejtim. Por Ramushi mirë ka bërë që e ka vizituar. Angazhimi i Haradinaj për ta shtensionuar situatën është për t’u përshëndetur, por edhe qëndrimi i Ramës, i cili për besë nuk e di se pse po zhvillohet një farë lloj propagande, pasi gjithçka që ka bërë deri tani e ka bërë për interes të Kosovës. “, tha ai.

Exit mobile version