Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se personalisht mendon se PDK duhet të futet në qeveri.
“PDK i ka organet e saja të cilat vendosin. Mendimi im është se PDK duhet të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës”, ka deklaruar Haliti në një lidhje telefonike në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Mirëpo deputeti i PDK-së Kujtim Gashi thotë se e respektojnë mendimin e Halitit por sipas tij për momentin nuk ka diskutime për futjen e PDK-së në qeveri.
“Jemi 30 veta që duhet të vendosim për këtë çështje por ka edhe Kryesi, Grup Parlamentar ku në të gjitha këto duhet të vendoset”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Gashi thotë se ka mendime të anëtarëve të PDK-së që mendojnë se edhe me Vetëvendosjen duhet të bashkëqeverisim.
“Po të pyetem unë si anëtarë i PDK-së, unë nuk jam për hyrjen në qeverinëe aktuale. Por këto tema ende nuk jemi duke i diskutuar”, deklaroi më tej Gashi.