Site icon PrishtinaPress

Halimi vazhdon nesër dëshminë e tij në Hagë

Dëshmitari i 11 i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, Musli Halimi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe nesër para turpit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai ka thënë se gjatë luftës me Salih Mustafën është takuar dy herë, por sipas tij kanë pasur vetëm përshëndetje.

Halimi ka thënë se pas luftës me Salih Mustafën kanë shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës në sektorë të ndryshëm.

“Calin e kam njohur me pseudonimin Cali dhe prej të tjerëve e kam kuptuar që ky është komandant i BIA-s. As emrin nuk ia kam ditur, por pas luftës kemi punuar në TMK, unë kam punuar në akademinë e mbrojtjes ai ka punuar në zonën e pestë mbrojtje”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se pas luftës me Salih Mustafën dhe bashkëluftëtarë të tjerë i ka bashkuar përkujtimi i dëshmorëve në data të shënuara, kryesisht në Viti të Marecit.

Ndërsa për periudhën e luftës, ai ka thënë se nuk e mban mend kur e ka takuar Salih Mustafën por sipas tij nuk kanë pasur ndonjë komunikim përveç përshëndetjes.

“Mund të them që jemi takuar një herë apo dy një përshëndetje, por jo gjatë, nuk kam pasur kontakt për të zgjatur bisedë, thjesht një përshëndetje, edhe pse kam pasur respekt ndaj tij, sepse sipas informatave që kam pasur, ai ka qenë ish- i burgosur politik në një moshë shumë të re. Nuk e mbaj mend, por thjesht e kam takuar një a dy herë dhe ka qenë një përshëndetje, asgjë tjetër. Ka ndodhur një herë a dy që jemi takuar rrugës (në Zllash)”, ka thënë dëshmitari.

Nga prokuroria ai është pyetur se çka bënte Salih Mustafa në Zllash, por lidhur me këtë dëshmitari ka thënë se nuk ka njohuri.

“Nuk më ka interesuar se çka bën Cali, por as atij nuk është dashur të interesohej për mua, secili i kemi pasur detyrat tona. Nuk ka qenë koha të merremi kush çka bën. Qëllimi im ka qenë të stërvit ushtarë sa më shumë dhe ta kryejë detyrën time për çka kam ardhur, sepse kam bërë mbi 2 mijë kilometra për të ardhur në luftë, kështu që më shumë jam marrë me punët e mia”, ka thënë Halimi.

Ndër të tjera, gjatë dëshmisë së tij Halimi ka thënë se nga janari i vitit 1999 ka qëndruar në Zllash ku ka drejtuar një qendër stërvitore.

“Më 5 janar kam filluar të vij nga Shqipëria këmbë në Zllash. Kam bërë dhjetë ditë rrugë derisa kam ardhur në Zllash. Këtë nuk e harroj se ka qenë një rrugë e gjatë, e vështirë, kohë dimri me një peshë të ngarkuar në krah, kështu që nuk e harroj kurrë këtë datë. Ka qenë hera e parë që kam ardhur në Kosovë dhe jam rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nga 10 prilli 1999 ishte larguar nga fshati Zllash për në Prapashticë ku kishte filluar ofensiva.

“Ditë më e vështirë ka qenë 7 prilli e tutje. Kanë qenë disa njësi, nëpër lagje, nëpër fshatra, kanë qenë prezent Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë prezent edhe para 7 prillit në Prapashticë dhe disa fshatra të tjera, por me fillimin e luftës brigada e ka parë të arsyeshme të më dërgoj mua atje si komandant i batalionit që t’i unifikoj ato njësi dhe të futem në një komandë, kështu që luftimet të jenë më nën kontroll”, ka deklaruar dëshmitari.

Musli Halimi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe nesër para trupit gjykues në Hagë në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version