Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për emërim të militantëve në borde të ndërmarrjeve publike.
Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi tha se këso punësime VV-ja ka bërë në veçanti në KEK, PTK dhe ujësjellës.
“LVV-ja i emëroi militantët e vet partiak, pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend, me theks të veçantë ato në KEK, PTK, ujësjellës. Një pjesë e këtyre emërimeve janë anëtarë të familjeve të ngushta, zyrtarë të pushtetit e militant partiak”, deklaroi Halimi.
Lidhur me raportimet se në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës u pranuan militantë të VV-së, Halimi tha se kjo është një aferë super “pronto” e kësaj partie.
“Rasti i fundit më eklatant është konkursi i KEK-ut ku aplikuan 4.668 persona, ndërsa u pranuar 128, prej tyre të gjithë familjarë e zyrtarë të KEK-ut dhe militantë të partisë së VV-së. Kjo është afera super ‘pronto’ e VV-së. Pra bëhet fjalë për 4.500 persona që iu mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar që trendi i punësimeve familjare dhe partiake të ndalet.
“Duke e parë një gjendje të tillë të krijuar, kërkojmë që një trend i tillë të ndërpritet në mënyrë urgjente. Këto praktike janë goditje dërmuese për shpresën dhe synimin e qytetarëve për një shtet të drejtë dhe mundësi të barabarta. Përmbajnë shkelje flagrante të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Më tutje, Halimi tha se LDK -ja kërkon që ky konkurs të anulohet, teksa ka ftuar prokurorinë që të fillojë hetimet.
“LDK-ja kërkon që konkurs të anulohet menjëherë dhe të vendoset drejtësi për 4.668, shkarkim dhe suspendim të gjithë zyrtarëve në KEK përfshirë edhe komisionin vlerësues që janë përfshirë në mënyrë direkte të këtyre shkeljeve dhe ftojmë prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të gjithë procesit dhe të marr masa ndaj keqpërdoruesve”, deklaroi zëdhënësja e LDK-së në një konferencë për media.