Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka thënë se nuk duhet të nënçmohen kërcënimet e Serbisë.
“Kërcënimet e Serbisë kurrë nuk duhet të nënçmohen, porse, përfshirja e luftës dendur në diskursin publik për qëllime populliste e konsum të brendshëm, nuk po e dëmton Serbinë, por fatkeqësisht imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Nuk ka fuqi kredibile financiare në botë që investon kapitalin e vet në një vend ku rreziku potencial për luftë është i lartë. Paqja, siguria e qytetarëve është duke u mbikëqyrë nga aleatët tanë të NATO-s, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës“.
Tutje Halimi ka shtuar se Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje por siç thotë ajo me mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese.
“Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti, por fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese. Përhapja e panikës së luftës, me qëllim që qytetarët tanë të mos kërkojnë zhvillim e mirëqenie, por të mjaftohen me paqen, në planin afatgjatë do të ketë pasoja të mëdha për vendin”.