Site icon PrishtinaPress

Halimi e LDK-së: Përfshirja e shpeshtë e luftës në diskurs publik për qëllime populliste e dëmton Kosovën

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se asnjëherë s’duhet nënçmuar kërcënimet e Serbisë, megjithatë thotë se përfshirja e shpeshtë e diskursit të luftës për konsum të brendshëm e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Halimi thotë se asnjë shtet i fuqishëm financiarisht nuk e investon kapitalin e vet ku rreziku potencial për luftë është i lartë.

“Kërcënimet e Serbisë kurrë nuk duhet të nënçmohen, porse, përfshirja e luftës dendur në diskursin publik për qëllime populliste e konsum të brendshëm, nuk po e dëmton Serbinë, por fatkeqësisht imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nuk ka fuqi kredibile financiare në botë që investon kapitalin e vet në një vend ku rreziku potencial për luftë është i lartë”, ka shkruar Halimi.

Ajo ka thënë se Kosova duhet të ndërtojë tregim paqeje dhe të ardhmeje, por sipas saj, ky tregim, sipas mendesisë së VV-së përceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthimi në mënyrë që qytetarët të mos kërkojnë zhvillim dhe mirëqenie.

“Paqja, siguria e qytetarëve është duke u mbikëqyrë nga aleatët tanë të NATO-s, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti, por fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese. Përhapja e panikës së luftës, me qëllim që qytetarët tanë të mos kërkojnë zhvillim e mirëqenie, në planin afatgjatë do të ketë pasoja të mëdha për vendin”, ka shkruar ajo.

Exit mobile version