0.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Hajdari: Prokuroria po heton 64 raste të dhunimeve seksuale që ndodhën gjatë luftës

Departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke zhvilluar hetime për 64 raste të dhunës seksuale.

Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e këtij departamenti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se një numër i kryesve të krimit është identifikuar nga viktimat dhe, sipas saj, me urdhrin e gjykatës, është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar.

Në intervistë ajo thotë, po ashtu, se pas lëshimit të letërshtimit ndërkombëtar pritet ndalimi i tyre nga INTERPOL-i (Organizata Ndërkombëtare e Policisë).

Radio Evropa e Lirë: Zonja Hajdari, PSRK-Departamenti për krime lufte, ka kohë që është duke punuar në hetimin e rastet të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës. Cka po ndodhë me këto raste?

Drita Hajdari: Siç tani dihet, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës(PSRK), ka pranuar kompetenca për krimet të luftës në fund të vitit 2018, kur kemi trashëguar një numër tejet të madh të lëndëve nga EULEX- i. Në mesin e atyre lëndëve ka ekzistuar një numër i vogël i paraqitjeve për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, në këto raste nuk është punuar asgjë.

Me pranimin e kompetencave, unë personalisht si udhëheqëse e Departamentit për krime lufte, kam filluar me një fushatë për vetëdijesimin e viktimave të dhunës seksuale. I kam takuar edhe personalisht u kam treguar edhe procedurat, pritjet të cilat ato mund t’i kenë nga Prokuroria për t’i inkurajuar për t’i paraqitur këto raste, sepse ekziston një hezitim i madh për paraqitjen e këtyre rasteve që është edhe kuptueshme, duke pasur parasysh natyrën e këtyre veprave penale, rrethanat në të cilat janë kryer, sidomos brutaliteti me të cilin janë kryer këto vepra.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë faze jeni ju në procedimin e këtyre lëndëve?

Drita Hajdari: Për momentin kemi 64 raste të cilat janë aktive, janë në procedim. Mirëpo, prej këtyre 64 rasteve, nuk do të thotë që kemi arritur ta identifikojmë në secilin rast kryesin e këtyre veprave penale. Një numër i kryesve është identifikuar nga viktima me urdhrin e gjykatës është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar dhe jemi në pritje. Do të thotë, këto letërshtime ndërkombëtare i ekzekuton Interpoli dhe presim që kudo që gjinden këta persona kryerës të veprave penale që të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë.

Për ne, si prokurori, është e rëndësishme të dokumentohet krimi, pavarësisht nga ajo se a do të arrijmë ta zbulojmë apo identifikojmë kryesin. Mungesa e [identifikimit të] kryesit nuk do të thotë se krimi nuk ka ndodhur, kështu që duke i proceduar këto raste, ne në njëfarë mënyre jemi duke grumbulluar edhe provat edhe statistikat për këtë lloj të veprave penale të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A keni në këto vitet e fundit raste të reja, të cilat kanë ardhur në Prokurori dhe flasin për dhunën që iu ka ndodhur?

Drita Hajdari: Po, shumica e këtyre 64 rasteve janë raste të raportuar pasi që i kemi pranuar kompetencat, do të thotë kah fundi i vitit 2018. Mosraportimi deri diku është i kuptueshëm duke pasur parasysh që më herët misioni i UNMIK-ut, tani i EULEX-it i kanë intervistuar viktimat përmes interpretit dhe ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme edhe e rrezikshme për viktimën të japë dëshmi përmes interpretit, i cili ka mundur të jetë edhe fqinji i saj/tij, apo familjari apo dikush i njohur. Dhe, gjithmonë është kanosur rreziku të zbulohet identitetit i viktimës. Me kontaktin e drejtpërdrejtë me policin dhe prokurorin vendor, gjërat shkojnë shumë më lehtë, flasim shqip, kuptohemi më lehtë dhe procedura shkon ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: A është duke shkuar me ritmin e duhur puna në këtë drejtim?

Drita Hajdari: Shumë kohë kemi humbur. Keni parasysh që ajo që është e dhimbshme në një farë mënyrë është fakti që menjëherë pas përfundimit të luftërave në ish-republikat e Jugosllavisë, shteteve të përfshira në luftëra u është lejuar krijimi i gjykatave speciale për krime të luftës e një gjë e tillë nuk i është lejuar Kosovës. Siç dihet, UNMIK-u ka vendosur fillimisht t’i procedojë këto raste, pastaj EULEX-i. Kaluan pothuajse 20 vjet, pas përfundimit të këtyre misioneve në Kosovë, kur na janë dorëzuar këto raste. Kemi rreth 900 raste për krime të luftës dhe rreth 2000 dosje për të zhdukurit dhe me të vërtetë kemi qenë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë.

Mirëpo, jemi angazhuar dhe kemi vendosur që këto raste të procedohen në mënyrë të duhur për të grumbulluar sa më shumë prova derisa nuk bëhet vonë. Mirëpo, ajo çka neve na mban, është fakti që krimi është krim dhe se ai do të ndëshkohet herët apo vonë. Krimet e luftës nuk parashkruhen. Do të thotë derisa kryesi është i gjallë edhe viktima sa është e gjallë, ekziston shpresa që këto raste të procedohen dhe kryesit të sillen para drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat më të mëdha, me të cilat jeni duke u përballur aktualisht?

Drita Hajdari: Sfida më e madhe është hezitimi i viktimave për të folur për këto raste, për paraqitjen e këtyre rasteve në polici ose në prokurori. Frika e tyre që mos po zbulohet identiteti i tyre. Ato kanë përjetuar një tmerr, sepse dhunimi është një vepër tejet e rëndë në kohën e paqes.

Në kohën e luftës këto vepra kryhen në rrethana tejet të vrazhda të përcjella me poshtërime dhe me shumë dhimbje fizike, të cilat pastaj ndikojnë në dhimbjet psikike të viktimës.

Unë them se Prokuroria do ta kryejë pjesën e vet të punës, ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave penale, hetimin, zbulimin, regjistrimin e këtyre rasteve. Mirëpo, dhuna seksuale në Kosovë është çështje e secilit qytetar të Kosovës. Secili qytetar duhet të vetëdijesohet dhe ta kuptojë që viktimat e dhunës seksuale nuk kanë faj për atë që u ka ndodhur atyre dhe se këto viktima janë viktima të luftës dhe ashtu duhet të trajtohen.

Radio Evropa e Lirë: A ka hetime në këto raste për dhunuesit e burrave?

Drita Hajdari: Nuk është numër i madh, janë krejt katër apo pesë raste, ku si viktimë paraqitet gjinia mashkullore. Këtu është një hezitim nga ana e burrave për t’i paraqitur këto raste. Dihet arsyeja. Unë mund ta përmend një rast të një mashkulli të dhunuar, të cilin unë e kam intervistuar në Suedi. Ai jeton në Suedi, unë kam shkuar në Suedi dhe e kam intervistuar për këtë vepër penale. Ai ka arritur ta identifikojë kryesin dhe kryesi tash është në kërkim sipas fletë-lëshimit ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të priten aktakuzat e radhës?

Drita Hajdari: Ne, përmes Ministrisë së Drejtësisë, do të fillojmë procedurën e ekstradimit. Procedura e ekstradimit është një gjë për të cilën ne presim nga shtetet që duan dhe tregojnë gatishmërinë për të na përkrahur në ndjekjen penale dhe në ndëshkimin e kriminelëve të luftës. Lloji i dytë i aktakuzave janë në mungesë, do të thotë pa praninë fizike të kryesve dhe këto aktakuza të para pas përmbushjes së disa afateve ligjore mund të priten qysh në vitin e ardhshëm, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, menjëherë pas përmbushjes së këtyre afateve ligjore.

*Video nga arkivi: Rrëfimi i burrit të dhunuar gjatë luftës

Radio Evropa e Lirë: Sa raste?

Drita Hajdari: Janë gjithsej katër raste për gjykim në mungesë. Dua ta theksoj edhe një gjë që sa i përket numrit të viktimave të dhunës seksuale. Ne e dimë që në publik plasohet një numër i cili bazohet në disa prognoza që nuk janë të bazuara në hulumtime ekzakte apo në hulumtime reale. Përmendet numri prej 20 mijë viktimave, mirëpo për momentin unë mund të them nuk ekzistojnë statistika reale dhe nuk mund të mbështetemi as në numrin e paraqitur në Prokurori, sepse më herët tregova se viktimat hezitojnë të raportojnë.

Por, këtu duhet të bëhet një hulumtim më i mirëfilltë dhe mbi baza reale lidhur me numrin e viktimave. Jo, nuk mendoj që është numër real. Bazuar në numrin e paraqitur në organizatën joqeveritare që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale si dhe numrin e paraqitur në Komisionin qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Radio Evropa e Lirë: Sa do të mund të arrihet drejtësi për viktimat përmes gjykimeve në mungesë?

Drita Hajdari: Gjykimi në mungesë është një satisfaksion në radhë të parë për viktimën. Viktima mund të përfitojë nga gjykimi në mungesë atë drejtësinë për krimin që i ka ndodhur. Mirëpo, në anën tjetër, gjykimi në mungesë paraqet edhe dokumentimin e krimit. Siç thashë edhe më herët, mungesa e kryesit nuk do të thotë që krimi nuk ka ndodhur. Këtu e kemi kryesin të identifikuar, zhvillohet procedura në mungesën e tij. Por, nëse në të ardhmen vijmë deri tek ai person, gjykimi do të përsëritet dhe në praninë e tij.

Radio Evropa e Lirë: Sa janë duke u marrë parasysh dokumentet, dëshmitë e ofruara nga gratë që i japin në Komisionin për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Drita Hajdari: Zakonisht kërkojmë informacion nga Komisioni nëse viktima është paraqitur në Komision dhe nëse i është njohur statusi i viktimës, kaq. Përndryshe, Prokuroria i ka procedurat e veta, provat e veta. Ka ndodhur edhe diçka shumë interesante që në Prokurori kemi dëshmuar ekzistimin e krimit dhe kemi provuar që personi i caktuar është viktimë e dhunës seksuale, e në Komision ka ndodhur e kundërta.

Radio Evropa e Lirë: Për të bërë identifikimin e kryesve të krimit, çfarë mjete juridike përdorni ose keni?

Drita Hajdari: Është interesante që edhe pas kalimit të më shumë se dy dekadave, ka viktima që arrijnë ta identifikojnë. Ato së pari japin përshkrimin fizik, si është dukur personi, kryesi në kohën e kryerjes së veprës… ngjyrën e syve, ngjyrën e flokëve, gjatësinë, peshën, moshën. Pastaj, Policia e Kosovës e përgatit fotoalbumin me disa fotografi me persona të ngjashëm me moshë me dukje fizike dhe në ato rrethana, ato arrijnë t’i identifikojnë. Do të thotë, kujtesa e tyre dhe ajo që u ka ndodhur e ka memorizuar në mendjen e tyre kryesin dhe dukjen e tij fizike.

Radio Evropa e Lirë: Në njëfarë forme edhe në media, edhe në përgjithësi, është krijuar një opinion që kjo çështje nuk e ka vëmendjen e duhur për të punuar në të, jo vetëm në Prokurori, por në përgjithësi. Si mendoni ju? A e ka vëmendjen e duhur kjo çështje?

Drita Hajdari: Sa i përket Prokurorisë, këto krime, procedimi i këtyre krimeve është prioritet. Këtë nuk po e them vetëm për të thënë, por unë edhe e kam dëshmuar në punën tonë edhe sa i përket numrit të rasteve në procedim dhe kështu me radhë. Është e vërtetë që është numër i vogël i policëve. Unë pres që në të ardhmen do të marrim më shumë policë, të cilët do t’i trajtojnë këto raste. Mirëpo, në kuadër të policisë janë persona të caktuar, të cilët punojnë ekskluzivisht për dhunën seksuale gjatë luftës dhe ato janë femra, meqenëse shumicën e viktimave i kemi femra.

Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i tyre, që punojnë?

Drita Hajdari: Janë dy police.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img