Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se bilanci tregtar është zvogëluar fal rritjes së eksportit, ndërsa investimet e huaja direkte, gjatë vitit 2022, janë rritur në vlerë prej 772 milionë euro.
Hajdari ka folur edhe për rritjen e eksportit të mallrave për vitin e kaluar, për të cilën thotë se është rritur për 22 për qind rritje krahasuar me vitin 2021.
Teksa ka folur për bilancin tregtar, Hajdari tha se aktualisht Kosova e ka 1 me 6, ndërsa më herët i njëjti ishte 1 me 10. Kjo gjë sipas ministres po bëhet falë zëvendësimit të produkteve të importit me prodhimin vendor.
“Bilanci tregtar fal rritjes së eksporteve, ne kemi pasur një bilanc tregtar 1 me 10, ndërsa tani duke iu falënderuar rritjes së prodhimit vendor, rritjes së eksportit kemi zvogëluar bilancin tregtar, dhe tani e kemi 1 me 6. Pra po eksportojmë 1 po marrim afër 6, dhe kjo është falë rritjes së kapacitetit të prodhimit vendor, por edhe zëvendësimit të produkteve të importit me prodhimin vendor”, u shpreh Hajdari për EO.
Kosova qëndron mirë sipas Hajdarit edhe te eksporti i mallrave, ku shifra totale për vitin 2022 ka shkuar në 920 milionë euro.
“Të eksporti i mallrave për vitin e kaluar kemi afër 920 milionë, që është 22 për qind rritje krahasuar me vitin 2021. 93 për qind krahasuar me vitin 2020. Po nëse shkojmë edhe te eksporti i shërbimeve, kemi edhe një rritje rekorde prej 2.5 miliardë euro për vitin 2022 e që është 32 për qind rritje krahasuar me vitin 2021 dhe 153 për qind rritje krahasuar me vitin 2020, pra po rritet sektori privat në Kosovë dhe po ndihmon në qëndrueshmëri të vendit, sepse përpos rritjes së mirëqenies së popullatës sonë përmes zhvillimit industrial dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës, po krijon edhe një qëndrueshmëri të shtetit”, tha Hajdari.
Ministrja Hajdari tha se ndihmë të madhe po u japin bizneseve prodhuese.
“Për herë të parë në Kosovë tani pas pavarësisë kemi hartuar në bashkëpunim të afërt me bizneset tona politikën industriale deri në vitin 2030, me të cilën politikë synojmë përkrahjen drejtë prodhimit, sepse në të gjitha sektorët që janë analizuar, vlera e shtuar e sektorëve nga perspektiva e vlerës së shtuar është kuptuar se të rinjtë tanë kanë aftësinë e prodhimit për sektorë të ndryshëm të prodhimit dhe përpunimit, dhe nga kjo analizë paraprake për shtatë sektorët kryesor industrial, sjell konkludimin se Kosova ka mundësinë për të prodhuar më shumë, dhe deri më tani prodhimi nuk e ka sjell sa duhet kontributin që ka mundur ta sjellë për ta zbërthyer vendin tonë në një vend më të zhvilluar ekonomikisht, pra jemi vendi i varur nga importi”.
E për investimet e huaja direkte, sipas Hajdarit, kanë shkuar në 772 milionë euro. Kjo shifër sipas saj është tregues se sektori privat po i zgjeron produktet.
“Për investimet e huaja edhe këtu një vlerë e mirë, rekord krahasuar me vitet e kaluara, por ne ende presim edhe më shumë rritje të investimeve duke përkrahur sektorin privat, duke rritur prodhimin. Investimet e huaja direkte në vlerë rekord në vitin e kaluar ishin 772 milionë euro. Pra është një tregues i qartë që sektori privat po rrit prodhimtarinë, po zgjeron produktet”, u shpreh ajo.