Site icon PrishtinaPress

Hajdari dhe përfaqësuesit e “rent-a-car-eve”, flasin për udhëzimin administrativ që rregullon veprimtarinë e tyre

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomik të automjeteve me qera (rent-a-car), të cilët dje po ashtu, u mirëpritën në takim nga shefi i kabinetit, Kushtrim Dakaj dhe drejtorja e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Lebibe Haliti.

Në takimin e djeshëm, me të njëjtit përfaqësues është arritur pajtueshmëri që të shqyrtohet mundësia e afatit shtesë për zbatimin e këtij vendimi, me qëllim që në ndërkohë, të pranohen komentet/sygjerimet, të cilat do të analizohen dhe integrohen përmes plotësim-ndryshimit të udhëzimit administrativ në fjalë, para hyrjes së tij në fuqi.

Në takimin e sotëm, ministrja Hajdari, dëgjoi shqetësimet e njëjta të adresuara një ditë më parë, të përfaqësuesve të operatorëve ekonomik dhe ritheksoi gatishmërinë për të shqyrtuar secilën kërkesë dhe sugjerim që do të adresohet nga ta.

Përkundër që kjo gatishmëri ishte shprehur edhe një ditë më parë, nga të lartpërmendurit zyrtarë të lartë të MINT, ku të njëjtit ishin sot përsëri në pritje bashkë me Hajdarin, për pranimin e sugjerimeve nga po të njëjtit operatorë ekonomik, para hyrjes në fuqi të udhëzimit administrativ.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, rithekson se mbetet e hapur për t’i trajtuar shqetësimet e çdo operatori ekonomik konform dispozitave ligjore dhe është e gatshme për të bashkëpunuar në këtë drejtim.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes mandatit të saj, është e përkushtuar të forcojë rolin e mbrojtjes së konsumatorit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Exit mobile version