2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Hajdar Beqa flet për raportet me Rrahim Hashimin dhe si ishte njohur me te

Skandali i fundit i përfshirjes së disa personave me fajde, duke e përfshirë edhe biznesmenin Rrahim Hashimi, ka ngjallur reagime të shumta. Kjo pasi, që ky i fundit, shihet të ketë pasur histori miqësore me disa nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përtej kësaj, në videot e shfaqura nga KTV, në grupin që dyshohet se janë marrë me fajde, është përmendur edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, për të cilin, në disa pamje thuhet se ka marrë 200 mijë euro nga po i njëjti grup.

Me të dalë ky skandal, filluan që të qarkullonin disa fotografi, teksa Hashimi shihet me disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Njëri nga ta është edhe Hajdar Beqa, deputet i PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Gjakovë.

Ai në një bisedë me Gazeta Blic, ka treguar se si e njeh Rrahim Hashimin.

Beqa ka thënë se publikimi i atyre fotografive është bërë nga njerëz dashakqinjë, teksa është zotuar se nuk e ka ditur se me çfarë veprimtarie merret ai (Rrahim Hashimi).

“Unë realisht nuk kam dashur që t’i komentojë këto foto që kanë dalë nëpër rrjete sociale. Ato kanë dashur nga dashakqinjët, ku kemi raste të tjera, kur bëhen këto gjëra më qëllime të caktuara. Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe kemi shumë raste kur shumë qytetarë kërkojnë që të bëjnë fotografi me neve dhe të konsultohen me neve. Sa i përket asaj se cila është veprimtaria e personave që bëjnë fotografi me mua, unë nuk jam as prokuror e as hetues. Në momentin kur e kisha ditë që një person ka një kaluar të errët ose që merret me ndonjë veprimtari të jashtëligjshme, nuk do të rrija me të, por që paraprakisht nuk e kam ditur”, ka thënë Beqa.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se ai e ka ditur se Rrahim Hashimi, ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë, sipas tij, e ka mësuar nga një mik.

“Sa i përket Rrahim Hashimit, unë e kam ditë që ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë e kam njoftë përmes një miku, dhe kemi pirë kafe disa herë me të, pasi që përmes disa miqve ka ardhur dhe është ulur në tavolinë”.

Hajdar Beqa shton se ai posedon fotografi me hiç më pak se 10 mijë qytetarë të Kosovës, teksa thotë se veprimtarinë e tyre përveç që nuk mund ta di ai, edhe nuk mund ta caktojë – “janë organet e drejtësisë që e bëjnë atë”.

“Ma ka prezantu një mik në tavolinë, më ka thënë që është ish-ushtar. Ka pi kafe disa herë me neve. Por, unë jam shumë i sigurt që kam foto me 10 mijë qytetarë të vendit. Kurse, sa i përket personave që bëjnë vepra kriminale, atëherë është dikush tjetër që duhet të merret me ta: është Prokuroria dhe Gjykatat”.

Hajdar Beqa dhe Rrahim Hashimi

Kryetari i PDK-së në Gjakovë ka thënë se Rrahim Hashimin, është njoftuar ditëve të fundit, nga mediat. Teksa, shton se asnjëherë nuk është takuar i vetëm me të.

Thotë se të gjithë ato herët kur janë takuar, këtë e kanë bërë përmes një mikut të tij.

“Nuk di asgjë më shumë për Rrahim Hashimin, më shumë se që kam parë ditëve të fundit në portale. Ka nejt me mu disa herë, por kanë qenë shumë persona aty. Ka kërkuar fotografi dhe ka bërë së bashku me mua. Por, asnjëherë nuk kam nejt me Rrahim Hashimin vetëm ne dy”.

Beqa thotë se Rrahim Hashimi, është parë të ketë pasur takime me disa figura tjera më të larta se ai. Por, nuk pranon që t’ua përmend emrat.

“Unë e pashë zotërin Hashimi, me shumë figura tjera, që janë figura shumë më të mëdhaja se une, në nivele më të larta sesa unë. Por, që nuk është në kompetencën time që të flas për ta”.

“Por, unë iu bëj thirrje Prokurorisë së vendit, që ta hetojë deri në fund këtë ngjarje. Të dalin të gjithë ata që kanë pasur lidhje me këta persona. është e rëndësishme që të dilet me hetim të detajuar, e jo të flitet kështu dhe të akuzohen njerëzit pa pasur hetim të qartë, sikur kjo që po përdoret emri i zotërit Veselit”.

Deputeti i Partisë së Kadri Veselit, zotohet sikurse shefi i tij i partisë, se nëse gjindej ndonjë lidhje biznesore me Hashimit, atëherë ai do të jap dorëheqje.

“Edhe unë po e them në mënyrë të hapur dhe të qartë, që nëse del ndonjë lidhje në këtë Kosovës, me një njeri, edhe me Rrahim Hashimin, përvec asaj që e thash, atëherë do të jepja dorëheqje brenda 15 minutave dhe do kërkoja falje nga qytetarët e vendit”.

Hajdar Beqa në fund u shpreh se i qëndron prapa deklarimeve të PDK-së lidhur me hetimet për rastin e grupit që është marrur me fajde, duke thënë se kërkon që të zbardhet sa më parë ky rast dhe të gjithë ata që janë të përfshirë të dalin para drejtësisë.

“Sa i përket hetimeve ndaj tij dhe asaj që ka dalur ditëve të fundit, atëherë nuk kam cka të shtoj më shumë se që e ka dhënë Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë deputeti Beqa.

Hajdar Beqa dhe Rrahim Hashimi

Kurse, gjatë ditës së sotme, shefi i Hajdar Beqës, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk i njeh personat që i përmendin emrin e tij, në një aferë korruptive ( fajde), dhe se nuk ka asnjë lidhje me ta.

Veseli u ka thënë gazetarëve se është i gatshëm të jap dorëheqje menjëherë nëse del diçka e vërtetë për të nga ky rast.

Ndërkohë ka deklaruar se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të japin llogari meqë për rastin në fjalë kanë qenë në dijeni që gjashtë vjet, dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë.Kadri

Veseli po e konsideron rastin si një “bombë të eksploduar në një moment të caktuar”, meqë sipas tij, veprimet reformative që po i ndërmerr, dikujt mund mos t’i pëlqejnë.

Pas publikimit të video incizimeve ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e tij, në një konferencë të jashtëzakonshme Veseli ka thënë se ky është një rast klasik i mashtrimit. Për Veselin është e paqartë si për këtë rast të krimit të organizuar, të ndodhur në vitin 2013, të ndërmerren veprime tani, gjashtë vjet më vonë.

Ai ka pyetur se kush janë personat që e kanë mbuluar këtë rast të veprës penale, dhe pse rasti ka qëndruar në sirtarët e institucionit të policisë dhe gjyqësisë.Ai tha se nuk i njeh njerëzit në video, dhe se rasti është krim i fshehur.

Sipas tij qe gjashtë vjet është dashur të hetohet rasti, dhe ai të pyetet nga drejtësia sikur çdo qytetar tjetër i Kosovës.Sipas tij, PDK nuk ka asnjë involvim me këtë krim dhe këtë skemë mashtruese, sic e quajti ai.

Veseli tha se kësaj pune do t’i shkojë deri në fund, njëjtë sikur veprimeve të tij që i quajti reforma. Ai tha se nuk do të mund të ndalë askush në rrugën që është nisur, dhe se është i vetëdijshëm që do të ketë sulme e goditje.Veseli tha se po bënë procese reformash edhe në PDK, dhe se do t’i shkojë deri në fund që njerëzit e korruptuar mos të jenë në mesin e tyre më.

Veseli nuk ka dashur që t’i komentojë lidhjet e deputetëve të tij me Rrahim Hashimin.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka mbrojtur shefin e tij partiak duke u shprehur se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me njerëzit që janë shfaqur në videot ku përmendet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli për marrjen e 200 mijë eurove.

Sipas tij ky rast do të duhej të mbyllej shumë me herët, por është penguar qëllimisht nga akterë të caktuar.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media, Hoxhaj u shpreh se partia që ai përfaqëson gjithmonë i ka denoncuar ata që kanë vepruar ilegalisht, duke përmendur se para pesë viteve e kanë denoncuar në polici Rrahim Hashimin.

Ndërkohë, nënkryetari Hoxhaj tha se ky rast është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të anashkalohet deri sa të merr një epilog.

Mes tjerash, ai tha se dhe më herët i kanë denoncuar njerëzit të cilët po pretendohet që i kanë përmendur emrin kryetarit të Kuvendi.

Në fillim të javës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion ku ka arrestuar një grup kriminal të ndërlidhur me veprën penale “fajde”.

Në mesin e tyre ka qenë edhe Rrahim Hashimi, i cili në shumë fotografi shihet së bashku me zyrtarë të lartë të PDK-së.

Hashimi u lirua ndërsa 4 tjerë u dërguan në paraburgim.

Dje në media u shfaq një video në të cilën shihen disa njerëz duke deklaruar se në emër të fajdes 200 mijë euro i janë dhënë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

Ky i fundit sot në një konferencë për media ka premtuar se nëse del diqka e vërtetë nga ai rast do të japë dorëheqje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img