Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn në kuadër të vizitës së tij në Kosovës sot mori pjesë në lansimin e axhendës për reforma evropiane, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, eurodeputetja Ulrike Lunaçek, dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Pas këtij lansimi komisioneri Hahn së bashku me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa mbajtën një konferencë për media, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kësaj konference, Komisioneri Hahn tha se vizita e tij vetëm pas dy ditëve të publikimit të raportit tregon fuqishëm për mbështjetjen e BE-së për Kosovë. Ai tha se axhenda e reformave evropiane ka të bëjë përkatësisht me kërkesat e qytetarëve të Kosovës, siç janë emërimet në bazë të meritave, reforma e sistemit arsimor dhe të trajtimi i papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve.
Ai theksoi se kjo reformë duhet të implementohet brenda 12-18 muajsh, duke vënë në dukje se vendosja e afatit të fundit është një presion dhe shtytje pozitive. Hahn shtoi se nëpërmjet këtyre reformave Kosova do të bëhet një vend atraktiv për investitorët e huaj por gjithashtu edhe vend llogaridhënës për investitorët e mundshëm të brendshëm.
Hahn foli për polarizimin politik mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, ku theksoi se të gjithë duhet të kuptojnë se debati duhet të zhvillohet në parlament pa gaz lotsjellës dhe vegla tjera. Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që të bashkëpunojnë dhe ta avancojnë Kosovën drejt reformave.
Ai shprehu edhe befasinë e tij për fajësimin e BE-së për mosarritjen e liberalizimit të vizave, duke vënë në dukje se kushti për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ka fleksibilitet.
“Ne jemi pajtuar me Qeverinë e Kosovës para tri vitesh për kriteret që duhet të përmbushen, sikurse ka qenë rasti me të gjitha shtetet tjera, si Turqia e Ukraina. Ukraina duhet t’i përmbushte më shumë se 140 kërkesa, kurse me Kosovën kemi patur 95 kërkesa dhe deri më tani 93 janë përmbushur. Jemi duke i pritur edhe ato dy të fundit me qëllim që t’i vendosim kontekstin e duhur”, tha Hahn.
Komisioneri theksoi se se Kuvendi dhe Qeveria duhet të marrin vendime konkrete për të ecur përpara e jo të humbin kohë me çështjet siç janë zgjedhjet e parakohshme. Duke cekur këtu mosmiratimin e deritanishme të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, Hahn tha se ”Unë e di personalisht situatën politike këtu dhe e njoh shumë mirë. Por, nga perspektiva e jashtme t’iu them të vërtetën është vështirë të kuptohet se një qeveri që ka dy të tretën e Kuvendit për më shumë se një vjet tash është e pamundshme ta miratonin. Dhe për këtë arsye nëse nuk është e mundur të arrihet marrëveshja për këtë çështje atëherë besimi është shumë i ulët se kjo do të mund të arrihet në fushat tjera”.
Kurse kryeministri Mustafa ka thënë se gjatë takimit me komisionerin Hahn është diskutuar për implementimin e axhendës evropiane, për raportin e Progresit për vitin 2016, i cili u publikua para dy ditësh si dhe për liberalizimin e vizave, si çështje prioritare e Kosovës. Ai vlerësoi se është me rëndësi lansimi i 22 prioriteteve në kuadër të axhendës së përbashkët për reforma evropiane, të cilat Kosova do t’i zbatojë në kuadër të MSA-së.
“Tani mund të them se përgjegjësia mbetet në institucionet tona, në implementimin e planit të veprimit për zbatimin e axhendës evropiane të reformave përmes Ministrisë për Integrime Evropiane drejtpërsëdrejti dhe përmes ministrive të tjera, por edhe në akordim të krijimit të një sinerxhie të përbashkët me të gjitha institucionet dhe shoqëritë civile”, tha Mustafa.
Komisioneri Hahn në kuadër të vizitës së tij sot do të marrë pjesë edhe në një tryezë të rrumbullakët së bashku me eurodeputeten Lunaçek dhe liderët e partive politike të Kosovës.