Site icon PrishtinaPress

“Habit” Pandeli Majko: Sot Ramën mund ta akuzosh për shumë gjëra, por…

Ndonëse duhen ende ditë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e 18 qershorit, Partia Socialiste sot i dha “start” me një miting së bashku me të rinjtë që votojnë për herë të parë.

Një nga figurat e vjetra të PS-së Pandeli Majko e cilësoi si turp të madh qëndrimin e PD-së për vetingun dhe integrimin e vendit.

Gjatë fjalës së tij Majko bëri edhe batuta me kryeministrin Rama, ndërsa tha se ai e ka “fajin” që sheshi “Skënderbej” ende është në punim e sipër.

“Fajin e ka Edi Rama që ky shesh nuk ka përfunduar. Ai u vonua në atë kohë me procedurat dhe erdhën ata e bënë si panoline”, tha Majko.

Ndërsa akuzoi opozitën për bllokim të procesit të integrimit, Majko tha se Ramën mund të akuzosh për shumë gjëra, por është qesharake ta akuzosh se ka aq lekë sa ta blejë fitoren me paratë e drogës.

“Ka shumë sirena sot që akuzojnë ambasadorët e BE, SHBA, dhe na thonë se janë të blerë nga paratë e drogës. Turp, 1000 herë turp, për atë parti e cila u krijua nga studentët e dhjetorit, me thirrje ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, dhe kjo parti sot ngrihet kundër ambasadorëve të BE dhe SHBA.

Kanë një llogari për të ndarë me votuesit e tyre, por kanë fikë të dalin dhe të ballafaqohen me ne në kutitë e votimit. Por demokratët nuk kanë frikë as në ’97 të ballafaqoheshin me PS. Ç’është kjo frikë sot, që i ka mbyllur në një çadër, dhe thonë ejani dialogojmë e na dorëzoni pushtetin në tavolinë. Dialogun e vetëm ata duhet ta kërkojnë të kutia e votimit.

Sot mund të akuzosh Ramën për shumë gjëra, por është qesharake ta akuzosh se ka aq lekë sa ta blejë fitoren me paratë e drogës. Pse popull skllav jemi ne që blihemi me pak para? Të gjithë demokratët mos harrojnë se sot që flasim kemi kod zgjedhor të shkruar nga ata që ishin në pushtet, por ne fituam me kodin e tyre, ne fituam duke pasur Berishën kryeministër, dhe tani na dashkan qeveri teknike.

Nuk do të ketë qeveri teknike. Do ketë votë të popullit shqiptar. Qeveri teknike është fleta në kutinë e votimit. Shikoni njëri-tjetrin, për 48 orë u mblodhëm kaq për t’i uruar mirëseardhjen e votuesve të rinj. Por bëhuni gati se sheshi do bëhet shumë shpejt se aty do festojmë fitoren e Partisë Socialiste më 18 qershor”, tha Majko.

Exit mobile version