Site icon PrishtinaPress

Guerot: Kosova mos të ketë frikë nga dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është historike. Sipas tij, marrëveshja e arritur në vitin 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimin Evropian, është ligjërisht e obligueshme dhe sjell gjëra konkrete për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ai thotë se kjo marrëveshje për Kosovën sjell njohje të integritetit territorial, andaj siç thekson diplomati francez, është në interesin e vet Kosovës që ujdia të zbatohet.

Guerot thekson se mbështetja e Francës për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar, dhe është aty si kurrë më parë.

Krahas këtyre, ambasadori francez kërkon nga Qeveria e Kosovës të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese propozimin e Bashkimit Evropian për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai thotë se ky draft-statut për Asociacionin, është opsioni më i mirë dhe i vetmi në tavolinë.

Sipas tij, BE-ja konsideron se ky propozim është në tërësi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo siç deklaron ai, testi më i mirë është dërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese dhe më pastaj ky institucion të tregojë se në çfarë mase ky dokument është në përputhje me Kushtetutën. Dërgimi i draft-statutit në Kushtetuese, ambasadori francez thotë se është kusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit është një marrëveshje historike. Ajo sjell shumë gjëra shumë konkrete për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Për Kosovën do të thotë njohje e integritetit territorial, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe elemente të tjera. Pra, është në interesin e Kosovës që kjo marrëveshje të zbatohet, është gjithashtu një angazhim i Kosovës dhe i Serbisë.  Ne mendojmë se këto marrëveshje janë ligjërisht të detyrueshme, kanë qenë kur është fjala për pranimin e Serbisë në BE, janë përfshirë në atë që quhet kapitulli 35. Kështu që janë pjesë integrale e diskutimit që ne e konsiderojmë këtë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme edhe për Kosovën, dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kyç për Serbinë por edhe për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane”, thotë ai në një intervistë për KosovaPress.

Ambasadori francez deklaron se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, është tregues i shkëlqyeshëm që do t’i përgjigje të gjitha frikësimeve që mund të jenë, kur pyetet për rreziqet se ky dokument mund të krijojë një pushtet të tretë ekzekutiv apo autonomi për komunitetin serb.

Ai thotë se Franca por edhe aleatët perëndimor kanë qenë vendimtarë për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe njohën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Prandaj, siç thotë ai nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë veprim nga ana e tyre që do të kishte ndikim të dëmshëm për Kosovën.

Në anën tjetër, ambasadori Guerot thotë se mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, mirëpo shton se kusht për këtë është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

I pyetur për destruktivitetin e Serbisë në procesin e dialogut, ai thotë se është e rëndësishme që të dy vendet të bëjnë hapa pozitiv drejt zbatimit të obligimeve në dialog.

Sipas tij, inkurajimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për riintegrimin e komunitetit serb në institucione në Kosovë është pozitiv.

Exit mobile version