0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Gucati paraqitet të premten para Gjykatës Speciale si i akuzuar

Pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, Gjykata Speciale ka njoftuar se ata do të dalin para Gjykatës si të akuzuar gjatë kësaj jave.

Derisa Nasim Haradinaj do të paraqitet nesër para kësaj gjykate, Hysni Gucatit i është caktuar paraqitja e parë si i akuzuar për të premten, më 18 dhjetor nga ora 11:00.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.

Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020.

Me konfirmimin e aktakuzës, z. Gucati dhe z. Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para.

Paraqitja e parë e Haradinajt si i akuzuar do të mbahet të martën, 15 dhjetor 2020, në orën 15:00. Paraqitja e parë e Gucatit si i akuzuar do të mbahet të premten, 18 dhjetor, në orën 11:00.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img