Pep Guardiola beson se Liverpooli është ende kundërshtari më i madh i Manchester Cityt për titullin e Premierligës këtë sezon.
“Të Kuqtë” do të jenë nikoqirë të “Qytetarëve” të dielën, në derbin e javës së 11-të në kampionatin anglez.
Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp nuk e ka filluar mirë sezonin 2022/23 – pasi momentalisht renditet në pozitën e 11-të në tabelë me 10 pikë të grumbulluara nga 8 ndeshje të zhvilluara.
Liverpooli ndodhet 12 pikë prapa Manchester Cityt që është i dyti dhe 13 pikë prapa skuadrës lidere, Arsenalit.
Man City dhe Liverpooli luftuan për titull në katër sezonet e fundit në Premierligë, me të drejtuarit nga Pep Guardiola që e fituan tre herë titullin e kampionit, ndërsa “Të Kuqtë” u kurorëzuan kampionë për herë të parë pas 30 vjetësh në sezonin 2019/20.
Derisa Klopp ka hedhur poshtë mendimet se përballja e së dielës është vendimtare për titulli për skuadrën e tij, Guardiola beson se pozicioni aktual i Liverpoolit në tabelë është i parëndësishëm dhe ai mendon se Liverpooli “gjithmonë kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë” rivalët më të mëdhenj të Manchester Cityt për titullin e kampionit.
Duke folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes të premten, Guardiola tha: “Tabela nuk luan kurrë për një ekip – loja do të diktohet nga ajo që ndodh në fushë, jo se ne jemi përpara ose prapa. Është gjithmonë e vështirë dhe ka qenë në këto. Do të jetë një lojë e vështirë, ne nuk do të zbulojmë asgjë tjetër që është e veçantë”.
“Unë e di cilësinë që ata kanë dhe ata e dinë cilësinë që kemi ne. Nëse e kemi këtë pyetje me 10 ndeshje të zhvilluara, do të thosha se Liverpooli nuk mund të arrijë Arsenalin. Por, me Botërorin për t’u zhvilluar gjithçka mund të ndodhë”, shtoi trajneri spanjoll.
“Në vitet e fundit ne luftuam për të gjithë titujt dhe ishim afër. Ishim pak më mirë, veçanërisht në Premierligë. Është i njëjti ekip, i njëjti menaxher, gjërat mund të ndodhin. Është pjesë e natyrës së garës. Nuk i shikoj momentet e mira apo të këqija, i analizoj si një skuadër duke pritur gjithmonë më të mirën prej tyre. Asgjë nuk e ndryshon opinionin që unë kam për ta”, deklaroi Guardiola.