Site icon PrishtinaPress

Grupi Ndërkombëtar i Krizave para 13 vjetëve rekomandoi pavarësi për Kosovën

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë e pavarur që përpiqet për parandalimin e Krizave më 24 janar 2005, publikuan raportin “Kosovo: Toward Final Status”, ku konkluduan se pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën.
Në raport thuhej se nëse nuk shpallet e pavarur, në Kosovë mund të fillojnë përsëri trazirat.

Në raport thuhet se shumica shqiptare e popullsisë së Kosovës pret që komuniteti ndërkombëtar të marrë një vendim lidhur me aspiratat e saj për pavarësi.

Nëse në vitin 2005, thuhet në raport, nuk bëhet përparim i ndjeshëm drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, ekziston rreziku që pakica serbe të kërkojë mbrojtje nga forcat e armatosura serbe, gjë që mund ta kthejë Kosovën përsëri në konflikt.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë në raportin e saj se nëse Qeveria e re e Kosovës do që ta udhëheqë popullin e vet drejt pavarësisë, ajo duhet të angazhohet për demokracinë dhe të ushtrojë ”respekt dhe mbrojtje të plotë” për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera.

Përmbledhje ekzekutive dhe rekomandime Grupi Ndërkombëtar i Krizave-2005

Në Kosovë koha po ikën. Status quo-ja nuk do të mund të mbahet më. Siç treguan trazirat e përgjakshme të marsit 2004, shqiptarët e Kosovës janë të frustruar me statusin e pazgjidhur, gjendjen ekonomike si dhe problemet në ballafaqim me të kaluarën. Shumica shqiptare pret që bashkësia ndërkombëtare këtë vit të bëjë diçka rreth aspiratave të tyre për pavarësi. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë shqiptarët e Kosovës mund të veprojnë në mënyrë unilaterale. Në këto rrethana, nëse kihet parasysh qëndrimi i ngrysur i shqiptarëve ndaj pakicave, Serbët e Kosovës mund t’i ftojnë forcat e armatosura serbe që t’i mbrojnë këta dhe rajoni edhe një herë mund të zhytet në telashe.

Viti 2005 ose do të sjellë përparim në zgjidhjen e statusit të ardhshëm që konsolidon paqen dhe zhvillimin, ose ekziston rreziku që Kosova do t’i kthehet konfliktit dhe të gjenerojë jostabilitet rajonal. Ky raport, që synon të thotë atë që nuk është thënë në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit në përfundim të konfliktit të vitit 1999, udhëzon se si mund të bëhet ky përparim.

Si hap i parë, Grupi i Kontaktit prej gjashtë shtetesh duhet që sa më parë që është e mundur të bëjë një deklaratë ku qartë do të ofrohej një afat kohor për zgjidhjen e çështjes së statusit dhe do të qartësoheshin katër rregullat themelore: se mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë është çështje nga e cila në masën më të madhe varet përparimi, se nuk do të lejohet as kthimi i Kosovës nën sundimin e Beogradit; as copëtimi; por as ndonjë formë e mundshme e unifikimit të Kosovës me Shqipërinë apo me ndonjë shtet apo territor fqinjë nuk do të mbështetet. Në të njëjtën kohë, një të dërguar special duhet të emërohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që të fillojë konsultimet rreth përmbajtjes së marrëveshjes dhe procesit me të cilin do të implementohet.

Në mesin e vitit 2005, OKB-ja do të vlerësojnë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për standardet e demokracisë, qeverisjes së mirë dhe të drejtave të njeriut. Nëse vlerësimi është pozitiv, i dërguari special duhet të përpilojë tekstin paraprak të marrëveshjes – “Marrëveshja për Kosovën” – si dhe detajet e një konference ndërkombëtare për aprovimin e saj.

Nëse qeveria e re e Kosovës dëshiron që të shpije popullin e vet drejt pavarësisë së dëshiruar, duhet të ketë respektim të plotë të të drejtave dhe mbrojtje për serbët e Kosovës si dhe pakicat tjera. Kuvendi i Kosovës, me ndihmën ndërkombëtare duhet që menjëherë të fillojë të përpilojë kushtetutën që do t’i kënaqte plotësisht këto shqetësime, teksti i së cilës, nëse pranohet nga konferenca ndërkombëtare, do të bëhej pjesë e Marrëveshjes për Kosovën. Synim përfundimtar i Marrëveshjes, së bashku me kushtetutën e re, do të jetë krijimi i kushteve për pranimin e Kosovës si anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.

Do të ishte me vend, duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe paqartësitë rreth së ardhmes, që Marrëveshja dhe kushtetuta të caktojnë disa kufij mes vete – të rëndësishëm për nga përmbajtja por të paktë në numër dhe me shtrirje relativisht të kufizuar – në lirinë e veprimit të Kosovës së pavarur, në veçanti:

* Kosova do të zotohet në mënyrë eksplicite se nuk do të bashkohet me Shqipërinë apo ndonjë vend apo territor fqinj përveç se në kuadër të integrimeve në BE;

* Do të ketë një numër gjyqtarësh ndërkombëtarë të emëruar në gjykatat më të larta të Kosovës si dhe palë të caktuara ndërkombëtare do të kenë të garantuar një prezencë që siguron se para këtyre gjykatave të nxjerrën çështjet themelore që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave dhe obligimet e tjera të dakorduara dhe miratuara më herët;

* E treta, Kosova do të pranonte një prezencë ndërkombëtare monitoruese – “Misioni Monitorues i Kosovës” – që do t’i raportojë bashkësisë së gjërë ndërkombëtare dhe do të rekomandojë masat gjegjëse nëse Kosova tërhiqet nga zotimet.

Para fundit të vitit 2005 duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare, nën udhëheqjen e OKB-së e ku do të merrnin pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, BE-së, Beogradit, Qeveria e Kosovës dhe Partitë Opozitare në Kosovë. Në fillim të vitit 2006, miratimi i kushtetutës së Kosovës nga qytetarët e Kosovës me një referendum do të shënonte fillimin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Kosovën. Do të ishte e dëshirueshme, me qëllim të dhënies së efektit të plotë ligjor si edhe politik, që Marrëveshja të miratohej edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Sovraniteti de jure i Kosovës, nëse kjo nuk bëhet me një marrëveshje me Serbinë apo me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, do të duhej të njihej nga e tërë bashkësia ndërkombëtare, ose së paku nga anëtarë të saj (përfshirë SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së) që janë të gatshme të bëjnë këtë.

Duhet të mendohet për atë se Serbia – e ndoshta edhe Rusia – do të refuzojnë të bashkëpunojnë rreth disa pjesëve të Marrëveshjes apo do të refuzojnë të bashkëpunojnë fare. Por, procesi i propozuar nuk duhet të lejohet të mbetet peng i kësaj mundësie: gjendja në terren në Kosovë është tepër e brishtë dhe status quo-ja është e paqëndrueshme në shumë pika, që bashkësia ndërkombëtare të lejojë që statusi i ardhshëm të lihet i pazgjidhur pafundësisht. Derisa shqetësimet legjitime të Serbisë duhet të merren parasysh plotësisht, veçanërisht ato për statusin e pakicës serbe në Kosovë, Beogradit duhet t’i tërhiqet vërejtja se “treni po ikën, me apo pa ju” dhe të kurajohet të marrë pjesë plotësisht në gjetjen e zgjidhjes më të mirë.

Politika rreth Kosovës është drejtuar mjaft gjatë nga ndjenja se gjërat janë mirë. Potenciali për shpërthim të sërishëm të dhunës është shumë real. Bashkësia ndërkombëtare, në veçanti vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, duhet të vendosin nëse duan të marrin në dorë agjendën apo do të lejojnë gjërat t’u ikin nga dora derisa në terren të fillojnë zhvillime të pakëndshme me të cilat do të duhet të merren pastaj. Agjenda e dhënë këtu kërkon kurajo politike si dhe energji. Por, alternativat e saj janë shumë më të këqija.

Rekomandimet

1. Sa më shpejt që është e mundur:

a) Vendet anëtare të Grupit të Kontaktit (do të ishte shumë e preferuar që këtë ta bëjë edhe Rusia, por nuk është e domosdoshme) si një masë për ndërtimin e mirëbesimit dhe dhënies shtytje procesit, duhet të lëshojnë një deklaratë me të cilën do të përcaktonin një afat kohor për zgjidhjen e çështjes së statusit.

b) Kjo deklaratë duhet të bëjë të qartë se mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë është çështja nga e cila më së shumti do të varet përparimi dhe se as kthimi i Kosovës nën Beogradin, as ndarja e as ndonjë unifikim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë nuk do të përkrahet.

c) Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, në marrëveshje me Grupin e Kontaktit, duhet të emërojë një Emisar Special për të filluar konsultimet rreth strukturës së procesit të statusit final dhe përmbajtjes së draftit të marrëveshjes.

d) Asambleja e Kosovës, me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë, duhet të fillojë të përpilojë draftin e kushtetutës, përfshirë këtu edhe masat për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe për emërimin e një numëri të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Supreme dhe atë Kushtetuese.

e) Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVQ) duhet të ndërmarrin një varg hapash që kanë për qëllim akomodimin e pakicës serbe, përfshirë këtu edhe fushatën “Prishtina – një qytet i hapur”.

2. Kah mesi i verës së vitit 2005: PSSP-ja duhet të përfundojë shqyrtimin e përkushtimit të IPVQ-që në përmbushjen e standardeve – për hapat e tjerë, supozohet se ky shqyrtim do të jetë pozitiv.

3. Deri në vjeshtën e vitit 2005:

a) Kuvendi i Kosovës duhet të finalizojë tekstin e draftit të Kushtetutës.

b) Emisari special duhet të paraqesë tekstin e draftit të marrëveshjes – “Marrëveshja për Kosovën” – dhe detajet e një konference ndërkombëtare ku do të pranohej edhe ajo edhe kushtetua e Kosovës.

4. Kah fundi i vitit 2005: Duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare, nën udhëheqjen e OKB-së dhe me pjesëmarrës përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, BE-së, Beogradit dhe Kuvendit të Kosovës (apo me ata që janë të gatshëm që të bëjnë këtë) dhe të pranojë tekstin e negociuar të Marrëveshjes për Kosovën dhe kushtetutën.

5. Në fillim të vitit 2006:

a) Kosova duhet të mbajë referendum për Kushtetutën e re.

b) Marrëveshja për Kosovën duhet të nxirret para Këshillit të Sigurimit të OKB-së për miratim (ky miratim do të jetë shumë i dëshirueshëm por jo edhe i domosdoshëm; kusht për hapat e tjerë që duhet të ndërmerren).

6. Kah mesi i vitit 2006:

a) UNMIK-u duhet t’ia dorëzojë funksionet e veta ekzekutive qeverisë së Kosovës ndërsa ato monitoruese trupit të ri ndërkombëtar në Kosovë (“Misioni Monitorues i Kosovës”). Roli i vazhdueshëm, afatgjatë, i KFOR-it apo ndonjë misioni pasardhës, duhet të konfirmohet me një marrëveshje mes NATO-s dhe qeverisë së Kosovës.

b) Nëse kjo nuk është bërë me një marrëveshje me Serbinë apo me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, sovraniteti de jure i Kosovës duhet të njihet nga bashkësia ndërkombëtare apo nga vendet anëtare të saj (përfshirë SHBA-në dhe BE-në) që janë të gatshme të bëjnë këtë.

 

Exit mobile version