Lideri opozitar, Lumir Abdixhiku, ka folur për një grup ideologësh që tha se ndikojnë në Vetëvendosje dhe në politikëbërjen e Qeverisë së Kosovës.
Bëhet fjalë për “Grupin e Tiranës”, që Abdixhiku tha se synim kanë prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, përfshirë ShBA’në.
“’Grupi i Tiranës’ ka mision politik largimin e Kosovës prej agjendës amerikane. Janë disa ideologë në Vetëvendosje që bëjnë luftë hibride dhe paraqesin shtyllat identitare të programit qeveritar, që iu shkruajnë fjalime deputetëve të shumicës edhe ato fjalime e mesazhe politike kundër aleatëve të Kosovës. Po t’i dëgjosh ata, ShBA’të janë shitur”, tha ai në T7.
Ai u kërkoi institucioneve që të merren me këta ideologë në Vetëvendosje, pasi sipas tij, ata synojnë ta dëmtojnë një prej shtyllave më të rëndësishme të Kosovës.
“Unë prapë iu kërkoj institucioneve të sigurisë së vendit që ta bëjnë verifikimin sepse agjendë kanë zhbërjen e një shtylle të rëndësishme të Republikës së Kosovës siç është aleanca me ShBA’të”.
Abdixhiku kërkoi që të mos keqinterpretohet deklarata e tij, pasi tha se s’bëhet fjalë për liderët e Shqipërisë, por dikë tjetër.
“Nuk po flas për përfaqësues politikë të Shqipërisë. Unë me Edi Ramën e Sali Berishën kam diskutim e muhabet. Me ata që e përfaqësojnë njëmend Shqipërinë, unë flas me ta”, tha ai. /Reporteri.net/.