Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, ka propozuar që të bëhet harmonizimi i projektrezolutës së propozuar nga LDK-ja.
Avdullah Hoti shef i GP të LDK-së, tha se janë për t`u dakorduar me Grupet Parlamentare. Sipas tij është e domosdoshme që sot të votohet rezoluta.
“Ne mund të dakordohemi të ulemi me shefat por ngjarjet që kanë ndodh dje në Gjermani e bëjnë urgjente që kjo rezolutë të kaloj sa më parë”, tha Hoti.
Edhe Memli Krasniqi, kryetar i GP të PDK-së tha se duhet të bisedojnë për rezolutë gjithëpërfshirëse.
“Çfarëdo lloj që lidhet me rezolutën për dialogun ne besojmë që duhet të jetë rezolutë gjithëpërfshirëse që i trajton gjitha çështjet relevante. Kjo arrihet vetëm përmes qëndrimeve të harmonizuara të shprehura nga dita e djeshme nga ne dhe opozita”, tha Krasniqi.
E Glauk Konjufca shef i GP të LVV-së, tha se është pa shumë qartë që dallimi është evident mes grupeve. Ai tha se nuk pranojnë që presidenti t`i përfaqësoj në bisedime.
“Këtu ose do të jemi në këtë pikë për ta mbrojtur interesin shtetëror ose ta mbrojmë verbërisht presidentin. Mazhoranca mu ka dukur e barikadume me shku në faza të mëtutjeshme, me kriju platformë, me kriju ekip bashkë me presidentin dhe presidenti me na përfaqësuar në dialogun me Serbinë. Me këtë opsion nuk pajtohet opozita jemi në pozicionet e mëparshme ku kemi qenë”, tha Konjufca.
Dardan Sejdiu i PSD-së, shtoi se rezoluta duhet të ketë edhe pika të tjera.
“Çka u shpërfaq dje në seancë ishte e qartë se ka mendime e hapësirë për me shtu pika të tjera. Besoj që duhet me i dhënë hapësirë diskutimit me harmonizu këtë rezolutë”, shtoi Sejdiu.
Edhe Ahmeti Isufi nga AAK dhe Bilall Sherifi nga NISMA shprehen për mundësinë e harmonizimit të rezolutës.
Nënkryetari Haliti ka paralajmëruar pauzë 20 minutëshe deri sa të dakordohen shefat e grupeve parlamentare.