Site icon PrishtinaPress

“Grumbullim i madh ushtarak në kufirin me Kosovën”, BBC shkruan për tensionet në veri

SHBA po i kërkon Serbisë që të tërheqë atë që thotë se është një grumbullim i madh ushtarak në kufirin e vendit me Kosovën.

Kështu nis shkrimi i BBC për situatën e tanishme në veri të Kosovës.

Me tej shkruhet se thirrja e SHBA vjen pas një sulmi të dielën e kaluar, gjatë të cilit rreth 30 persona të armatosur u përfshinë në një përleshje me armë me policinë e Kosovës në veriun e Kosovës me shumicë serbe.

Në përgjigje të “situatës aktuale”, Britania e Madhe tha se po dërgonte trupa për t’u bashkuar me paqeruajtësit e NATO-s atje, tregon BBC.

Aleanca ushtarake tha se ishte gati të rriste forcat e saj pas një përleshjeje në një manastir në veri të dielën e kaluar, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre nga sulmuesit, vazhdon shkrimi i gazetës britanike.

Të premten, Milan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, partia kryesore politike serbe e Kosovës, dha dorëheqjen pasi pranoi se kishte organizuar grupin e armatosur. Megjithatë, ai mohoi të kishte marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Duke folur të premten, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby e përshkroi “dislokimin e madh ushtarak” të tankeve dhe artilerisë së sofistikuar serbe si “një zhvillim shumë destabilizues”.

“Është shqetësuese. Nuk duket si një grup djemsh që u mblodhën për ta bërë këtë,” tha Kirby, duke iu referuar sulmuesve.

“Ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”.

Exit mobile version