Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të ndalë menjëherë lojërat dhe propagandën politike me Rastin Dehari, duke thënë se ka dorë në moszbardhjen e këtij rasti, raporton Ekonomia Online.
Gruda, në një konferencë për media, e ka quajtur “show politik” dhe vazhdimësi të keqpërdorimit të Rastit Dehari, konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje para Prokurorisë Speciale.
“Janë bërë më shumë se tri vite që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e Rastit Dehari, përkundër premtimeve për zbardhjen e tij sa ishin në opozitë. Përkundrazi, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes janë zhdukur e janë kthyer pjesërisht mostrat e Astrit Deharit dhe është djegur dy herë Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku ato ruheshin. Po ashtu, ka disa muaj që LVV po e pengon themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me zjarrin në Institut dhe humbjen e mostrave”, theksoi ai.
Gruda ngriti një sërë pyetjesh lidhur me këto ngjarje, duke thënë se janë problemi themelor i pushtetit .
“Kush i zhduki mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush i ktheu mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush e dogji Institutin? Si ndodhi që mostrat e Deharit u zhdukën në mars të 2023-tës dhe po në atë muaj ndodhi zjarri i parë në Institut? Pas zjarrit të dytë u dogj sistemi i kamerave në IML dhe për katër ditë me radhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive ku mbahen mostrat e Deharit. Si është e mundur që pikërisht në këtë interval kohor 4 ditor të gjendeshin dhe të ktheheshin mostrat e Astrit Deharit në Institut? Cilat janë masat që janë marrë ndaj personave përgjegjës për monitorimin e kamerave dhe atyre që kanë çelësin për hyrje në Dhomën e Dëshmive në IML? Pse po e pengoni themelimin e Komisionit Hetimor për Rastin Dehari?”, pyeti Gruda.
PDK kërkon që Qeveria e Kosovës t’i kthehet sa më parë punës në zbardhjen e së vërtetës për Rastin Dehari.
“Po ashtu, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se ky rast nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se njerëzit e këtij pushteti që po e pengojnë zbardhjen e tij një ditë do të japin llogari para drejtësisë”, tha Gruda.