Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënim me kusht prej 2 vjet e gjysmë të kthyerës nga Siria, M.A. nga Zhegera e Gjilanit.
Ishte në mesin e 32 grave që ishin kthyer nga Siria në muajin prill në Kosovë.
Por, edhe pse gruaja nga Gjilani me inicialet M.A u rikthye me ndihmën e institucioneve të sigurisë kosovare, ajo u ndoq nga ato të drejtësisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar asaj dënim me kusht prej 2 vjet e gjysmë, për organizimin dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
T7 ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj gruas nga Zhegra e cila tregon mënyrën se si ajo u bind t’u bashkohet grupeve terroriste.
Sipas M.A një shqiptarë nga Maqedonia pjesëtarë i ISIS i njohur si “Abu Hamza” e kishte bindur, përmes Facebookut, të shkonte në Siri në vitin 2015.
Pas 5 muajsh komunikimi, shqiptari nga Maqedonia ia kishte mundësuar asaj udhëtimit nga Kosova në Siri përmes Turqisë.
Megjithatë M.A tash ndjehet e penduar për veprën që e ka kryer.
“E pranoj fajësinë dhe jam penduar shumë. Prej fillimit kur jam ardh kam thënë që jam penduar, nëse e kisha kthy kohën nuk do ta bëja kurrë këtë gabim.”
E babai M.A kishte deklaruar në gjykatë se nuk ishte në dijeni që vajza e tij ishte nisur për në Siri.
N.A kishte deklaruar se vajza e tij kishte thënë se po shkon të një shoqe.
“Pas një muaj e gjysmë na është lajmuar nga qyeti i Rakës në Siri, nuk ka tregu me kënd ka shkuar vetëm ka thënë se ka shkuar për Allahin dhe ka bërë gjënë e duhur. Dikur pas dy muajve na ka thënë se është martuar Orahan Ramadanin nga Shkupi dhe nuk na ka treguar se si është njoftuar më të”.
E sipas provave të Prokurorisë e akuzuara ishte e vedishme që po merrte pjesë në organizatën terroriste ISIS.
“E akuzuara M.A ishte e ndërgjegjshme në atë kohë që po merrte dhuratë martesore në formë parash nga ISIS dhe që burri i saj Orhan Ramadani punonte si roje armatosur në për ISIS. Po ashtu e akuzuara M.A e dinte që ajo dhe familja e saj po gëzonin kushte të mira jetese brenda territorit të kontrolluar nga ISIS falë lidhjeve shoqërore që i shoqi Orahan Ramadani kishte me një nda liderët e ISIS, Ridvan Haqifin”.
Ndërkohë sipas avokates së M.A, Leonora Dervishaj-Pacolli thotë se klientja e saj është mashtruar nga ish bashkëshorti i saj në Siri.
“Gjatë bisedës ai i ka premtu një jetë më të mirë edhe nuk i ka treguar që është luftë dhe e njëjta është manipulu”.
Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.
Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.