Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në Pejë, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Sinjali mëson se 21-vjeçarja ka deklaruar se i shoqi e ka sulmuar fizikisht dhe si pasojë ka marrë lëndime trupore. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Viktima bashkë me foshnjën e saj ka shkuar te familja e saj, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.