4.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Gruaja e Navalnyt: Do ta vazhdoj luftën për shtetin tonë

Duke luftuar me emocionet, vetëm disa ditë pas vdekjes së dyshimtë së kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalnyt, në një burg në Arktik, Yulia Navalnaya, e veja e tij, është zotuar se do të vazhdojë të çojë përpara aktivizimin e burrit të saj, kundër qeverisë autoritare të presidentit rus Vladimir Putinit.

“Do ta vazhdoj kauzën e Aleksei Navalnyt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Do ta vazhdoj luftën për shtetin tonë, dhe u bëj thirrje që të qëndroni mbrapa meje. Mos e ndani vetëm dhimbjen që na ka rrethuar. Ju kërkoj që të ndani me mua edhe zemërimin dhe urrejtjen për ata që kanë guxuar të vrasin të ardhmen tonë”.

“U rikujtoj fjalët e Alekseit… ‘nuk është turp të bësh pak. Është turp të mos bësh asgjë. Është trup t’i dorëzohesh frikës’”, ka thënë shtuar ajo.

Kjo ka qenë një thirrje e papritur, por e pastër si loti, që rusët të mbajnë gjallë shpresën për ndryshim që e ka mbajtur gjallë Navalnyn, dhe të bëjnë çfarë të munden për ta jetësuar atë, në një shtet që Putin ka dominuar për gati një çerek shekulli.

Mirëpo në kohën e kufizimeve më të ashpra – prej epokës së diktatorit sovjetik Josef Stalinit – dhe teksa vazhdon lufta e Moskës kundër Ukrainës, Navalnaya përballet me betejë të ashpër, teksa synon të bëjë dallimin.

Politikani opozitar, Dmitry Gudkov, ka thënë se deklarimet e Navalnayas përbëjnë “akt të guximshëm” dhe “vendim të rrezikshëm”.

“Yulia e ka vënë mbi supe përgjegjësinë për komunikim, mbështetje dhe inspirim të njerëzve”, ka thënë Gudkov për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse, të menaxhuar prej Radios Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

“Ajo ka bërë thirrje për mbështetje, dhe për këtë arsye kam reaguar. Shpresoj që pas asaj që ka ndodhur, ne do të mund të bashkohemi, t’i lëmë anash ambiciet, të harrojmë ofendimet e së kaluarës, që janë mbledhur në mes të opozitës dhe shoqërisë civile”.

“Armiku është i fuqishëm”, ka thënë ai.

“Dhe frikësohem që, fatkeqësisht, kjo nuk do të jetë vrasja e fundit politike”.

Vdekja e Navalnyt e ka zbehur opozitën tashmë të përçarë në Rusi, pasi një pjesë e figurave me ndikim janë detyruar të largohen prej shtetit, ose janë burgosur, në kuadër të shtypjes që u ka bërë shteti zërave kundërshtarë qysh prej protestave kundër Qeverisë, të udhëhequra pjesërisht prej Navalnyt, që datojnë prej vitit 2011-2012.

Shteti e ka rënduar edhe më shumë dorën pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018 dhe vendimet janë intensifikuar pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Analistja politike Yekaterina Shulman, ka thënë se ekziston një pakicë e konsiderueshme ende brenda Rusia, mirëpo vdekja e Navalnyt do të mund t’i “demoralizojë” dhe “paralizojë” shumë prej tyre.

“Ka shumë diversitet në mesin e shumë grupeve të pakënaqura brenda Rusisë”, ka thënë Shulman për Radion Evropa e Lirë.

“Disa janë të pakënaqur për shkak të luftës dhe disa për shkak se lufta po zhvillohet ‘pa ndonjë rezultat’. Disa janë të pakënaqur për shkak të inflacionit, disa për shkak të ndërhyrjeve në jetën private, apo kufizimeve në internet. Disa frikësohen nga shtypja, apo shtypja e njerëzve të rrethit të tyre”.

“Këta njerëz nuk kanë shkuar askund, mirëpo ata janë të shpërndarë”, ka thënë ajo.

“Ende është pikëpyetje se kush mund t’i koordinojë ata dhe më çfarë suksesi”.

Në një shtet ku institucionet në vend që t’i shërbejnë publikut, e mbështesin shtetin, rruga përpara është e paqartë.

“Nuk ekziston asnjë mekanizëm ligjor për të shndërruar zemërimin tonë në ndryshim politik”, ka thënë shkrimtari liberal dhe satiristi, Viktor Shenderovich./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img