Aeroportet në Dusseldorf, Hamburg dhe Këln-Bon ishin praktikisht bosh të enjten në raundin e parë të grevës së thirrur nga sindikata gjermane Verdi për krizën e kostos së jetesës.
Gati 100 mijë njerëz dhe 50 kompani do të preken nga grevat e punonjësve të sigurisë së aviacionit të enjten dhe të premten në tre aeroporte, tha shoqata e aeroporteve ADV, me rreth 700 fluturime që do të anulohen.
“Situata në terminale sot është e njëjtë me grevat e mëparshme të Verdi këtë vit: terminalet e nisjes janë bosh, situata është e qetë”, tha një zëdhënës i aeroportit të Hamburgut në një deklaratë.
Sindikata tha se ka qenë duke negociuar me shoqatën e sigurisë së aviacionit BDLS për të nxitur rritjen e pagave për turnet e natës, fundjavës dhe festave publike, pa ndonjë përparim në horizont.Të premten greva do të zgjerohet pasi Verdi i ka bërë thirrje stafit të sigurisë në aeroportin e Shtutgartit që t’i bashkohet protestave, duke bërë që aeroporti të anulojë të gjitha nisjet.
Sindikata EVG e Gjermanisë ka bërë thirrje gjithashtu për një grevë mbarëkombëtare të transportit të premten, me operatorin kombëtar hekurudhor Deutsche Bahn midis kompanive të prekura.
Inflacioni i lartë në ekonominë më të madhe të Evropës ka shkaktuar një valë grevash muajt e fundit pasi punëtorët kërkojnë paga më të larta për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës./PrishtinaPress/