12.7 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Greva në arsim, e turpshme dhe e gabuar thonë ekspertët

Që nga dita e hënë, punëtorët e arsimit kanë hyrë në grevë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po kërkon rritje pagash për 30 për qind nga Qeveria e Kosovës, arsye për të cilën edhe kanë hyrë në grevë.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë shprehur të vendosur në kërkesat e tyre dhe në mënyrën që kanë zgjedhur për t’i realizuar këto kërkesa – me bojkot të procesit mësimor, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë thirrje vazhdimisht për ndërprerje të grevës.

Dje, MASHT-i në një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit i kanë bërë thirrje SBASHKU-ut për ndërprerje të grevave, mirëpo këta të fundit kanë paralajmëruar edhe hapa shtesë në rast se kërkesat e tyre nuk realizohen.

Lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e arsimit, Halim Hyseni i cili vendimin e SBASHKU-ut për grevë e ka quajtur vendim të turpshëm dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për arsimin.

“Vendimi i SBASHK-ut është i turpshëm dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për arsimin sepse paraqet rrezik që ky vit shkollor të shpallet jo-ekzistues, sepse në qoftë se greva zgjatë më shumë se një muaj atëherë mund të them lirisht se ka dështuar procesi i gjithë vitit shkollor”, tha Hyseni.

Ai ka potencuar gjithashtu se nëse përsëritet ky vit shkollor, viti i ardhshëm do të jetë i pamundur të realizohet për shkak të dyfishimit të numrit, duke shtuar se SBASHK-u nuk i ka analizuar pasojat që mund t’i ketë kjo grevë.

Sipas Hysenit, mësimdhënësit nuk kanë të drejtë të kërkojnë rritje të pagave sepse mësimdhënësit e Kosovës kanë pagat më të larta në rajon me përjashtim të Serbisë.

Ai gjithashtu ka shtuar se cilësia e arsimit në Kosovë është në kolaps dhe SBASHK-u me këtë vendim vetëm e përkeqëson më tutje gjendjen.

I pyetur për zgjidhjen e këtij problemi, Hyseni është shprehur se ose qeveria duhet t’i detyrojë të heqin dorë nga greva ose vet mësimdhënësit duhet të vetëdijesohen dhe të ndryshojnë këtë qëndrim.

“Sikur edhe prindërit të jenë të vetëdijshëm, do ngriheshin në këmbë dhe të kërkonin përgjegjësi për një vendim anakronik, vendim ky që është edhe i gabuar edhe në kohë të gabuar”, ka përfunduar Hyseni për prishtinapress.eu

Ndërsa, eksperti tjetër i arsimit, Rinor Qehaja për lajmi.net ka thënë se ky reagim i SBASHK-ut nuk është i befasishëm, pasi shpërndarja e koeficienteve në ligjin e punës është arsyeja.

“Shpërndarja e koeficienteve në projekt-ligjin e punës, pa marrë parasysh kompleksitetin e vërtetë të shumë profesioneve të administratës publike, jo befasishëm ka sjellë një reagim të tillë nga SBASHK-u dhe sektore të tjera”, është shprehur Qehaja.

Ai gjithashtu ka kritikuar qasjen e qeverisë duke e lënë fajtore për krijimin e situatave të tilla.

“Qasja qeverisëse e orientuar në premtime elektorale dhe klientelizëm pa dyshim që kurdoherë do të krijojë situata të tilla. Është për keqardhje që reagimi sindikal nga SBASHK-u është duke cenuar procesin mësimor, sikurse që është për keqardhje neglizhenca e institucioneve qeveritare për rishikim të projekt-ligjit të punës”, është shprehur Qehaja për lajmi.net.

Qehaja gjithashtu është shprehur i brengosur për situatën e mëtutjeshme që do të krijohet në arsim.

“Kam frikën që me kalim të këtij ligji në Kuvend, kjo situatë do të shndërrohet në betejë politike për përfitime elektorale, sesa në një vullnet të mirëfilltë për zgjidhje të problemit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img