Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka folur për minatorët që ndodhen në grevë në Minierën e Trepçës, raporton Gazeta Sinjali.
Në seancën e sotme plenare, Shala është shprehur se minatorët tash e tri ditë janë në grevë për shkak të kushteve të rënda, ndërsa për këtë gjendje ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për të cilën ka thënë se “i ka mashtruar keq”.
“Në Minierën e Trepçës po vazhdon sot dita e tretë e grevës. Minatorët në thellësi prej 700-800 metra sot kanë kërkesa elementare sociale, ekonomike e menaxheriale. Kanë kërkesë që të kenë siguri në punë, të t’i gëzojnë pagat e meritueshme, që të ndryshojnë një menaxhment joligjor dhe jofunksional. Të gjitha kërkesat e minatorëve i mbështesim sepse janë legjitime. I bëj thirrje qeverisë që të reflektojë sepse situatën e kemi në përkeqësim të skajshëm”, tha ai.
Më tej Shala shtoi se asnjë nga institucionet shtetërore nuk i ka vizituar minatorët, ndërsa ka pyetur se “pse Qeveria po frikësohet të komunikojë me ta?”.
“Ku është Qeveria sot kur minatorët janë në grevë. Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar. Pse Qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët apo është e vetëdijshme se i ka mashtruar keq dhe thellë? I ka mashtruar sepse iu ka premtuar investime, zhvillim e rivitalizim dhe sigurti në punë. Por, asnjë nga këto nuk i ka përmbushur”, u shpreh deputeti i PDK-së.