Aktorja kosovare me talentin dhe interpretimin e saj brilant po mahnitë publikun dhe regjisorët e huaj. Ajo ka pranuar një ftesë për realizimin e një projekti teatror në Skoci, shkruan “KultPlus”.
Lajmin e ka konfirmuar për “KultPlus” aktorja Pallaska dhe regjisori Metthew Lenton, i cili është i mahnitur me talentin dhe interpretimin skenik të aktores kosovare.
“Po jemi duke biseduar me Gresën, që ajo të vijë të luajë në një shfaqje në Skoci. Me pëlqen karakteri i saj, loja që ajo bën dhe çdo gjë tjetër. Është aktore e mrekullueshme”, tha për “KultPlus”, regjisori Lenton.
Shkas për këtë ofertë është bërë përvoja që regjisori Metthew Lenton kishte me aktorët kosovarë gjatë realizimit të shfaqjes “Tregtari i Venedikut” që u dha mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Lenton përveç Gresa Pallaskës, pati fjalë të mira edhe për 13-të aktorët e tjerë të kësaj shfaqjeje.
Shfaqja “Tregtari i Venedikut”, pati sonte reprizën e parë në TKK.