Kohët e fundit Kosova me Greqinë kanë intensifikuar bashkëpunimin në disa fusha.
Gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të vijë edhe ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias.
Ministria e Jashtme e Greqisë përmes një e-maili ka treguar arsyet e kësaj vizite, por ka përjashtuar mundësinë e njohjes së Kosovës si shtet.
“Ministri i Jashtëm Dendias do ta vizitojë Kosovën në fillim të qershorit për arsye të formimit të qeverisë së re në Kosovë. Ju kujtojmë se Greqia po e mbështet rrugëtimin evropian të Kosovës dhe në këtë konstekst po e mbështet edhe liberalizimin e vizave. Greqia po ashtu kontribuon në Kosovë me një numër të caktuar të ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Por siç e dini, Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së greke për RTV Dukagjinin.
Mirëpo eksperti amerikan David Phillips thotë se nga pesëshja mos njohëse e BE-së, Greqia është më së afërmi të njeh Kosovën.
“Greqia ka shumë të ngjarë ta njeh Kosovën, por nuk mund të injorojmë lidhjet e ngushta mes Greqisë dhe Serbisë”, thotë Phillips.
Por në Kosovë po shihet ndryshe kjo çështje.
“Greqia i sheh edhe interesat e saj strategjike. Pra interesat e Greqisë janë më të mëdha me Serbinë se me Kosovën. Por kjo nuk duhet të ndalë punën tonë të lobimit me qeverinë greke”, deklaroi Emir Abrashi nga Demokracia Plus.