I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se janë duke shikuar se çfarë po ndodhë me krijimin e qeverisë së re, por sipas tij, edhe vendet tjera kanë procese të njëjta kur është në pyetje formimi i koalicioneve.
Ai po ashtu ka folur edhe për temat si çështja e taksave dhe lobimet që po bëhen nga Serbia për ç ‘njohjet e shtetit të Kosovës.
Sipas tij, këto të dyja duhet të ndalen, e popujt dhe bizneset të fokusohen në zhvillimin ekonomik.
“Shikoni prosperitetin në Amerikë…. Si t’u jepet të rinjve punë e shpresë. Ajo që kam dëgjuar nga bizneset amerikane është se duan të vijnë këtu por mendojnë se ka ende konflikt….”, ka thënë ndër të tjera Grenell.
Ai foli edhe për formimin e qeverisë, duke thënë se të gjitha shtetet kalojnë nëpër të njëjta procese kur është në pyetje formimi i koalicioneve.
“Çështja e formimit të Qeverisë nuk është ajo për të cilën do të flas, ne të gjithë po shikojmë nga jashtë. I thashë zotëri Kurtit se vendet si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë luftë të madhe në formimin e koalicioneve për qeverisje. Ne vetëm po shikojmë se çka po ndodhë. Ju inkurajojmë të respektoni rregullat ashtu siç bëjnë të gjithë dhe të shoh se edhe vendet e tjera përballen me probleme në koalicione”, tha Grenell. /Telegrafi/