Site icon PrishtinaPress

Grekët protestojnë për 1 Maj, përleshje në disa qytete

Mijëra grekë dolën në qytetet më të mëdha të vendit me rastin e Ditës së Punëtorëve. Ashtu siç ndodh çdo vit, grekët kujtuan 1 Majin me protesta në qytetet më të mëdha të vendit.
Në Athinë, Sindikata e Përgjithshme Adedy ka protestuar në sheshin “Sintagma”, ndërsa protesta e dytë, u organizua prej Partisë Komuniste greke në sheshin Klathmonos.

Sindikatat kërkuan lehtësim të reformave shtrënguese që ka ndërmarrë qeveria gjatë 8 viteteve të fundit, që prej fillimit të krizës ekonomike që ka pllakosur vendin.

Krehu i sindikatave kërkoi pakësimin e taksave, rritjen e rrogës bazë, shtimim e pensioneve si dhe kontratë kolektive për të gjithë punonjësit.

Në shenjë solidariteti me rastin e ditës së 1 Majit, punonjës të sektorit shtetëror dhe privat paralajmëruan greva disa orëshe.

Probleme u shënuan në funksionimin e spitaleve, në lëvizjen e trenave, trageteve, autobusëve urbanë, si dhe ne doganat e brendshme të vendit.

Ndonëse për ruajtjen e rendit ishin dislokuar mijëra forca policore në të gjithë vendin, sërish protestat kanë degjeneruar në përballje mes protestuesve dhe policisë,

Përleshje u shënuan në kryeqytetin e vendit Athinë, ku një grup protestuesish anarkistë sulmuan forcat e rendit me gurë dhe kokteile molotov, ndërsa forcat e rendit u përgjigjen me granata shpërthyese dhe kimikate.

Përleshjet në qendër të Athinës zgjatën për gati 30 minuta dhe disa protestues morën ndihmën e parë prej mjekëve në spitalet e qytetit.

Tensione të ngjashme u shënuan edhe në protestat e zhvilluara në Patra dhe Pire. Policia tha se ka ndaluar disa të dyshuar.

Exit mobile version