Site icon PrishtinaPress

Greg Delawie tregon si e gjeti dhe si po e lë Kosovën

Ambasadori në largim i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, rrëfehet për tri vitet e tij në krye të diplomacisë amerikane në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” në ditët e fundit të mandatit si ambasador, Delawie foli për tri vitet e tij në Kosovë, për proceset e vështira me të cilat i ka rënë të ballafaqohet dhe për atë se çka pret nga Kosova në të ardhmen.

Në intervistën me Jeta Xharrën, Ambasadori Delawie tha se Kosova e Serbia nuk mund ta ndryshojnë të kaluarën, por duhet të bëjnë përpjekje për të ardhmen e tyre.

Jeta Xharra: Z. Ambasador, mirë se vini në Jeta në Kosovë!

Greg Delawie: Jeta, kam kënaqësinë që jam këtu. Ju faleminderit.

Jeta Xharra: Mirë se vini sërish. Janë ditët tuaja të fundit në Kosovë. A mund të përshkruani se cilat janë çastet më të paharrueshme gjatë qëndrimit tuaj këtu më shumë se tri vjet.

Greg Delawie: Çastet më të paharrueshme… Mendoj se më me dëshirë do të flas me çka jam më së shumti i kënaqur.

Jeta Xharra: Urdhëroni.

Greg Delawie: Mendoj se dëshiroj t’ia filloj me sundimin e ligjit. Kemi arritur përparim mjaft të mirë në sundimin e ligjit; transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor, p.sh. shumë më shumë vendime po bëhen publike, rreth 6,000 sosh tash në krahasim me rreth 50 që ishin kur pata ardhur. Kemi ndihmuar në hartimin e udhëzuesit për politikën ndëshkimore ashtu që individët me lidhje politike të mos marrin ndëshkime të lehta pa arsyetim nga gjyqtari. Kemi ndihmuar në ruajtjen e Gjykatës Speciale, e cila ndjejmë se është shumë e rëndësishme. Kurse në fushën ekonomike, mendoj se kemi arritur që të ndryshojmë gjërat për Kosovën. Kur mendon për gjërat si p.sh. eksportet kosovare janë përmirësuar me 37% gjatë disa viteve të fundit. Kemi eksportin e mjedrave që ka shkuar prej zero në 10 milionë euro në vit e që mundëson vende pune për mijëra njerëz në Kosovë. Kemi gjërat si… përveç sundimit të ligjit, e kemi markën “Prodhuar në Kosovë” që tashmë është bërë markë në Europë dhe nëpër botë. Mendoj se kemi dhënë kontribut të rëndësishëm edhe për këtë. Jam mjaft i kënaqur me gjithçka kemi arritur gjatë disa viteve të fundit. Gjithmonë dëshirojmë të bëjmë më shumë dhe të kemi më shumë sukses, por kjo është përgjigja ime.

Jeta Xharra: Dua të përmend çastin tonë më të paharrueshëm të kohës suaj këtu që përputhet me atë që e zgjodhët ju. Thatë se e arritura më e madhe ishte ruajtja e Gjykatës Speciale dhe kujtoheni më së shumti, meqenëse jeni ambasador kaq i qetë, për thënien se jeni ndjerë sikur iu kishin goditur me thikë pas shpine. Ky ishte çasti kur njerëzit thanë ‘uaaa’ nëse ju e keni thënë këtë, atëherë ka qenë me të vërtetë thikë pas shpine. Prej atëherë kam menduar t’ju pyes dhe shpresoj që do t’ma thoni të fshehtën: Kush saktë ju qëlloi pas shpine?

Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë gjatë intervistës për emisionin ‘Jeta në Kosovë’. Foto: Kallxo.com

Greg Delawie: Njerëzit që promovuan këtë agjendë për ta prishur ligjin që zbatohet për Gjykatën Speciale.

Jeta Xharra: Thaçi, Veseli, Haradinaj, Limaj… kush saktë? Kurti?

Greg Delawie: Kam qenë mjaft i mirë gjatë tri viteve për të mos i përmendur njerëzit me emër në publik dhe nuk shoh asnjë arsye për të ndryshuar tash.

Jeta Xharra: Po silleni tamam si diplomat…

Greg Delawie: Disi, kjo është edhe puna ime.

Jeta Xharra: …por mendova meqenëse po largoheni, ndoshta do t’na e thoshit kush. Mirë, të kalojmë te data 12 shtator. Para një jave, e morët një medalje nga Presidenti ynë për kontributin tuaj për paqe dhe demokraci. Jam kureshtare: ku do ta vendosni këtë medalje? A do të jetë në shtëpinë apo në zyrën tuaj? Ku do ta vendosni?

Greg Delawie: Kjo është pyetje e mirë. Më duhet që së pari të filloj të kthehem në Uashington dhe pastaj do ta marr atë vendim. E kam ndërmend t’i marr disa suvenirë të ndryshëm nga koha ime këtu në Kosovë dhe t’i ekspozoj diku. Do të vendosi ku dhe çka përshtatet më së miri kur të shkoj atje.

Jeta Xharra: Shihni, disa njerëz do të mund ta shohin atë fotografi dhe ta vrasin mendjen. Si do të ndjeheni nëse në të ardhmen, Presidenti që ua dha atë medalje përfundon i akuzuar nga Gjykata Speciale, e cila udhëhiqet nga një prokuror amerikan. Teorikisht, hipotetikisht, nuk e dimë nëse po, por e dimë se është përmendur në raportin e Dik Martit dhe vetëm më intereson ta di se si do ndjeheshit për atë medalje nëse ngritet aktakuza?

Greg Delawie: E di, Jeta, njëra ndër gjërat e para që ta mësojnë në shkollën për diplomaci– dhe e mbaj mend këtë edhe pse kanë kaluar 35 vjet – është që të mos u përgjigjesh pyetjeve hipotetike. Mendoj se e kam shprehur përkushtimin tim për Kosovën dhe për promovimin e agjendës amerikane këtu. Gjykata Speciale ka qenë pjesë e rëndësishme e asaj agjende, por kam bërë edhe gjëra të tjera…

Jeta Xharra: A është ende? Pjesë e rëndësishme e agjendës?

Ndërtesa në Hagë ku është vendosur Gjykata Speciale

Greg Delawie: Absolutisht, ende është. Siç e përmendët, kryeprokurori i ri i Gjykatës Speciale më duket se ia ka filluar punës vetëm para një jave. Ne e kemi dhënë prokurorin; ky është amerikani i tretë në atë pozitë. Mendoj se ky është demonstrim mjaft i qartë i përkushtimit amerikan për Gjykatën Speciale, për t’ia mundësuar asaj që ta kryejë detyrën dhe për ta mbështetur atë në kryerjen e detyrës së saj.

Jeta Xharra: Në shqip e kemi shprehjen “E treta, e vërteta”, që dmth hera e tretë e bën që puna të kryhet siç duhet. A mendoni se edhe ky do të japë dorëheqje dhe do të shohim edhe më shumë zvarritje nga Gjykata Speciale, siç ishte me dy prokurorët e mëhershëm…

Greg Delawie: Edhe kjo është pyetje hipotetike. Ata nuk punojnë për mua; unë nuk punoj për ta. Është organ i pavarur i gjyqësorit. Dhe mendoj se të gjithë ne, në SHBA dhe në Evropë, kemi aspirata që Gjykata do ta kryejë punë duke sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të periudhës së luftës dhe shpresoj që do ta bëjë këtë. Dhe shpresoj që edhe do të shihet duke sjellë drejtësi, si dhe të mundësojë e të sjellë drejtësi.

Jeta Xharra: Pra, ju po thoni se kjo politikë e Amerikës do të qëndrojë e vazhdueshme, e jo si pikëpamja për kufijtë që ka ndryshuar me kohë. A jeni të sigurt se njerëzit nuk do të shohin ndryshim të politikës amerikane për Gjykatën Speciale ngjashëm siç kemi parë ndryshim të politikës për pranimin e ndryshimit të kufijve?

Greg Delawie: Po them, politika jonë në këtë çast është që ta mbështesim Gjykatën Speciale. Nuk mund të them se çka do të ndodh pas 10 viteve apo 20 viteve, mendoj kjo do të ishte qesharake. Sapo kemi filluar, javën e kaluar, me vendosjen e Jack Smith-it, kryeprokurorit të ri. Ne e përkrahim atë, ia paguajmë pagën përderisa ai i merr përgjegjësitë e tij si kryeprokuror i Gjykatës Speciale. Nuk mendoj se ka shprehje më të mirë të përkushtimit tonë ndaj Gjykatës se kjo.

Jeta Xharra: Pikërisht koha kur po largoheni përputhet me momente dramatike që kanë ndodhur në Kosovë muajin e fundit, veçanërisht me vizitën dramatike të z. Vuçiq. E quaj dramatike sepse gjëja më e paharrueshme për këtë audiencë është se ai tha se Millosheviqi ishte prijës i madh, qëllimet e tij ishin të mira, por rezultatet tona ishin shumë më të këqija. Çka mendoni për këtë deklaratë?

Greg Delawie: Shiko, mendoj se të gjithë e dimë se Millosheviqi nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç mjerim dhe vdekje për Kosovën, si dhe për tërë rajonin e Ballkanit. Mendoj se është me rëndësi të kuptojmë se nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por vetëm të ardhmen. Dhe Kosova, si Serbia, duhet të përqendrohet në të ardhmen dhe të shohë se si të ecë përpara me përmirësimin e marrëdhënieve që të dy vendeve iu duhet: normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Jeta Xharra: Arsyeja pse po pyes është për komentin që e keni bërë në Twitter, i cili fare nuk i referohej kësaj deklarate, por iu referuat protestës duke thënë se “Protestat paqësore do ta shfaqnin më së miri Kosovën që e njoh unë”. A mund të më thoni çka nuk ishte paqësore në këtë protestë? A ishte e dhunshme?

Protesta kundër ardhjes së Vuçiqit në Drenicë – Foto: Facebook/BekimJashari

Greg Delawie: Rrugët u bllokuan.

Jeta Xharra: Po, rrugët ishin bllokuar, por rrugët bllokohen në protesta edhe në Amerikë. Njerëzit i okupojnë rrugët e Amerikës. Është hapësirë publike. Kjo ndodh në demokraci: njerëzit i okupojnë hapësirat publike.

Greg Delawie: Ndodh. Mendoj se protesta paqësore do të kishte qenë shfaqje më e mirë e pikëpamjeve të Kosovës.

Jeta Xharra: Ndoshta do të kishte qenë më mirë të mos ishin provokuar? Të mos shkonte atje dhe të mos thoshte se Millosheviqi ka bërë punë të mirë. Si do ndjeheshit p.sh. nëse Angela Merkel të shkonte në Aushvic dhe të thoshte se Hitleri ishte njeri i mirë. Si mendoni që do të reagonin njerëzit? Mendoj, rezultatet nuk ishin aq të mira, a nuk do të ishte kjo e ngjashme?

Greg Delawie: Shiko, nuk do të komentoj se çka bëri Vuçiqi. Ai është udhëheqës i huaj. Nuk flas për udhëheqësit e huaj. E dini, shqetësimi im është që Kosova të shfaqë fytyrën e saj më të mirë para botës. Do të kisha qenë më i lumtur po të kisha parë shenja, thirrje, gjëra të tilla. Jo bllokadë të rrugëve. Por, e dini, mendoj se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të gjejnë mënyrën për të ecur përpara. Dhe kjo nuk do të jetë e lehtë; do të ketë pengesa në rrugë, absolutisht. Por, është në interesin e të dy vendeve që të gjejnë mënyrë për të ecur përpara.

Jeta Xharra: E di, por si mund të pajtoheni me njerëz që mendojnë se Millosheviqi ka punuar mirë dhe që ishin pjesë e atij regjimi? Nuk është se ky është regjim i ri. Z. Vuçiq ishte Ministër i Informacionit në kohën kur Millosheviqi po vriste njerëz në vendin ku ai mëtonte të shkonte në Drenicë. Pra, çka ju thoni njerëzve që po ju dëgjojnë dhe po ju thoni se duhet të pajtoheni, por ai ishte pjesë e atij regjimi dhe ai mendon, edhe tani, nuk e ka ndryshuar mendjen. Nuk ka ndërtuar memorialë, si Angela Merkel për hebrenjtë në qendër të qytetit të tyre. Nuk është penduar, nuk ka kërkuar falje. Ju, diplomatët, nuk po i kërkoni të kërkojë falje. Pra, çka ju thoni njerëzve? Si të pajtoheni me një njeri të tillë?

Greg Delawie: Shiko, nuk jam psikolog. Dhe vazhdoj të besoj se mund ta ndryshosh vetëm të ardhmen. Duhet të bëni përparim. Duhet ta gjeni mënyrën. Nuk do të komentoj rreth z. Vuçiq. Është me rëndësi që njerëzit të ecin përpara, të gjejnë mënyrë për t’u pajtuar me njëri-tjetrin, që vendet të gjejnë mënyra për t’u pajtuar. Dhe për të gjetur mënyrë për të ecur përpara drejt të ardhmes që mendoj se të gjithë e duan: Kosova dhe Serbia t’i bashkohen pjesës tjetër të Europës dhe të gjejnë mënyrë për të zhvilluar vlerat e tyre europiane dhe të ecin përpara.

Jeta Xharra: Po, e di se e keni thënë këtë në pjesën tjetër të cicërimës suaj, por pse është më lehtë – do të kalojmë në temën tjetër – pse është më lehtë për të komentuar për sjelljen e popullit në Drenicë, që kishte bllokuar rrugën, e jo për komentin e Vuçiqit. Pse është më e lehtë të bëhet njëra se tjetra? Ai i tha ato komente në Kosovë. Pse nuk po e shohim ambasadorin duke thënë se Presidenti i Serbisë do të duhej të kërkojë falje për krimet e luftës të kryera në Kosovë? Kjo është Kosova që unë dua ta shoh.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mban fjalim në Mitrovicën e Veriut më 9 shtator 2018.

Greg Delawie: Shiko, mund t’ju them vetëm atë që e thashë. Ju thashë se nuk flas për udhëheqësit e huaj. Ju thashë çka mendoj për Millosheviqin. Më falni, Jeta, çka tjetër doni nga unë tani?

Jeta Xharra: T’ju lejoni njerëzve të shprehen në protestë…

Greg Delawie: Është demokraci…

Jeta Xharra: Dhe të mos komentoni rreth mënyrës se si ata komentojnë, si…

Greg Delawie: Më vjen keq.

Jeta Xharra: … protestojnë. Në një fjalim, një gjë që e keni thënë me shumë guxim, në një fjalim të mbajtur në prill 2017, ose më lejoni të them, ambasadori që e pëlqeva, kishte të bëjë me formimin e ushtrisë së Kosovës. Patët thënë se ishte koha që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në formimin e forcave të ardhshme të sigurisë. Nuk presim që populli i Kosovës të presë përgjithmonë për këtë. Nuk besojmë se një palë duhet të vë veto në këtë proces. A e mbështetni ende këtë fjalim të …

Greg Delawie: Absolutisht!

Jeta Xharra: …2017-ës? Dhe pse jemi sot në shtator të 2018-ës, por ushtria nuk është njëra ndër sukseset tuaja para se të largoheni? Kjo nuk është ndër të arriturat tuaja.

Greg Delawie: Mendoj se e kam bërë të qartë në 2017-ën çka mendoja se duhet të ndodhë për t’ia mundësuar Kosovës këtë punën e forcës ushtarake. Mendoj se disa gjëra kanë shkuar më ngadalë se sa do të dëshiroja, sigurisht edhe se që populli i Kosovës do të dëshironte. Do të dëshiroja të kishte pasur më shumë këshillim me NATO; unë jam person i NATO-s prej qëmoti. Besoj se siguria e Kosovës në një masë të rëndësishme bie mbi NATO-n. Dhe do të kishte qenë më mirë për Kosovën po të kishte kaluar më shumë kohë në këshillim me NATO-n, me SHBA-në, aleatët e NATO-s për mënyrën si të lëvizet përpara.

Jeta Xharra: Pra, kur është koha e duhur? Si do të duhej kosovarët ta bashkërendisin këtë me NATO-n njëmend? Sepse po flasim për këtë gjë qe sa kohë, kur them ashtu, po mendoj në kohën sa keni qenë këtu, kemi folur për këtë gjë. Kur do të duhej të ishte ‘s’ka më kohë’ për këtë që Kosova do të duhej ta ketë themeluar ushtrinë. Kur është koha e duhur?

Greg Delawie: Paj, delegacioni i Kosovës ishte në Bruksel javën e shkuar, u takua me misionet, ambasadat nëse doni të themi ashtu, të shteteve të NATO-s në Bruksel. Kjo ishte gjë e mirë, sigurisht e kam mbështetur këtë. Të njëjtën javë, e paraqiti këtë ligj në Kuvend. Mendoj se kjo ishte paksa shpejt. Mendoj a ju thua njerëzve të hënën dhe vepron të mërkurën.

Jeta Xharra: Por, ka qenë duke ndodhur qe një vit. Më shumë se një vit, apo jo?

Greg Delawie: Hera e parë që qeveria e Kosovës ka shkuar në Bruksel për të folur me misionet e NATO-s ishte të hënën e shkuar.

Jeta Xharra: Pra, nëse kjo ishte shumë shpejt, kur është hera e ardhshme kur do të duhej ta bënin këtë? Kur është koha që Kuvendi ta shqyrtojë këtë; që është bashkërenditur me aleatët e NATO-s?

Greg Delawie: Të bashkërendisësh nuk do të thotë vetëm të flasësh, por edhe të dëgjosh. Mendoj se është mirë t’ju jepet rasti aleatëve të NATO-s, shteteve mbi të cilat varet siguria e Kosovës, që të mendojnë rreth asaj çka kanë dëgjuar dhe të komentojnë për to.

Jeta Xharra: Po flisni…

Greg Delawie: Nuk do t’ju jap datë.

Jeta Xharra: Mirë, a mendoni se do të ndodhë kjo në kohën e pasardhësit tuaj?

Greg Delawie: Sërish nuk do ta them ndonjë datë të caktuar.

Jeta Xharra: Mirë, diçka tjetër dramatike që ndodhi muajin e kaluar ishte rasti i sinjalizuesit, Elezit, i prokurorit special, që punonte në prokurori. E vërejta se nuk shkuat për ta vizituar Lumezin ashtu siç bëri z-nja Apostolova, në kohën kur njerëzit po protestonin kundër tij. Si komentoni rreth faktit, e dini, të takimit me Lumezin, kryeprokurorit, në një kohë kur njerëzit po protestonin, se kjo shihet si shenjë e mbështetjes për të? Ju nuk e bëtë këtë gjë, pse nuk e bëtë?

Greg Delawie: E dini, nuk do të komentoj rreth asaj se çka bën një diplomat tjetër. Puna e diplomatit është që të ushtrojë ndikim ashtu siç ai apo ajo e vlerëson të përshtatshme për të ushtruar ndikim dhe nuk jam i gatshëm të argumentoj për këtë.

Jeta Xharra: Cila ishte shenja që na e dhatë ju duke mos shkuar për ta vizituar? A po e mbështetnit protestën, pra?

Greg Delawie: Shihni, mendoj se është shumë e rëndësishme që të premten e kaluar u ngrit aktakuza për pensionet e rrejshme. Më me dëshirë do të përqendrohesha në përgjegjësinë e institucioneve për ta bërë punën e tyre, në këtë rast të prokurorisë. Mendoj se ka pasur shumë vëmendje në prokurorët. Mendoj se kjo shkakton shpërqendrim nga ndjekja e rastit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit të brengosen nëse këta veteranë të rrejshëm po vjedhin para nga qeveria e Kosovës apo nga fëmijët e Kosovës se sa çka bëri e kur akësecili prokuror. Këtu është një faktor i rëndësishëm institucional dhe institucioni, shërbimi i prokurorisë, duhet të vazhdojë përpara. Nëse mund ta dëshmojë këtë rast në gjykatë, kjo është e rëndësishmja.

Jeta Xharra: Një gjë që nuk ju kemi parë duke folur, keni folur për më shumë aktakuza, por asgjë rreth dhunës seksuale gjatë luftës. I keni mbështetur gratë me projekte tjera. Herën e fundit që ishit këtu, më 2 mars, ishit ulur përballë grave që luftonin për trashëgiminë e tyre. A keni bërë ndryshim në rolin e gruas në Kosovë gjatë kohës suaj këtu? A shihni ndonjë sukses? Çka shihni prej çastit kur keni ardhur deri tani që po largoheni?

Greg Delawie: Mendoj se kemi bërë ndryshim. Mendoj se gratë e Kosovës kanë më shumë merita se sa ambasada amerikane. Sigurisht, nëse mendojmë për emisionin e marsit, kur Arjeta ishte ulur atje, mendoj se ajo… Ne kemi qëndruar në kontakt me të. Ju faleminderit që na bëtë bashkë në emision sepse ajo është person shumë i fuqishëm, person të cilën duhet ta marrësh parasysh.

Jeta Xharra: Ju faleminderit që keni ardhur dhe që qëndruat krah saj në të njëjtin panel.

Greg Delawie: Ishte kënaqësi dhe prej atëherë kemi qëndruar në kontakt. Ajo ka arritur përparim të madh. Ka formuar një OJQ; po ndërvepron me OJQ-të e tjera.

Jeta Xharra: Rasti i saj është apeluar. Gjyqtari ka hequr dorë nga rasti i saj.

Greg Delawie: OK. Mendoj se gratë e fuqishme, të qëndrueshme të Kosovës po e tregojnë vetë kush janë. Mendoj se kjo është gjë e mirë. Ka pasur përparim. Rastet e trashëgimisë të dorëzuara nga gratë kanë arritur në 3 për qind. Ky nuk është numër i shkëlqyeshëm, por është më i mirë se zero për qind siç ishte para disa viteve. Gratë tani po e regjistrojnë pronën në emrin e tyre, deri në 7 për qind apo ashtu diçka. Ky është përparim. Por, mbetet edhe shumë punë për të bërë. Ka një agjendë të qeverisë për të drejtat pronësore të grave. Mendoj se këtu përfshihen 18 ligje. Dy prej tyre janë miratuar nga Kuvendi, disa të tjerë janë në Kuvend dhe disa janë ende në qeveri. Mendoj se mbetet edhe shumë punë. Por, jam mjaft i kënaqur me mënyrën se si kemi kontribuuar ne. Po ashtu, jam i lumtur që gratë po dalin hapur duke i raportuar rastet e dhunës në familje. Nuk mendoj se ka më shumë raste të dhunës në familje, mendoj se ka më shumë raportim të rasteve të dhunës në familje. Kjo, para së gjithash, tregon se gratë po tregohen më të fuqishme dhe, së dyti, që ka pak më shumë besim.

Jeta Xharra: A jeni të kënaqur me reagimin e policisë në rastet e dhunës kundër grave që i kemi parë kohëve të fundit, si p.sh. rasti në Gjakovë?

Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Greg Delawie: Rasti i Gjakovës ishte i tmerrshëm. Nuk ka mënyrë tjetër ta përshkruash përveç si dështim të sistemit. Hetimet po vazhdojnë; disa persona janë pezulluar nga puna. Pasojat prej tij janë se duket që po ka përparim dhe shpresoj që të gjithë të marrim mësim nga ajo ngjarje. Por, mendoj se ka raste të tjera ku gratë po i raportojnë rastet e dhunës në familje dhe gjyqtarët po i marrin ato seriozisht, po i trajtojnë njëmend si viktima. Mendoj se është me rëndësi ta kuptojmë se dhuna në familje është krim.

Jeta Xharra: Dy pyetjet e fundit. A jeni ende, si vend, të përkushtuar ndaj Kosovës si vend me karakter shumë-etnik? Çka do të thotë kjo jo vetëm për Kosovën, por edhe për Amerikën? Sa të përkushtuar jeni?

Greg Delawie: Absolutisht jemi të përkushtuar ndaj karakterit shumetnik të Kosovës? Shtetet e Bashkuara të Amerikës natyrisht janë entitet shumë-etnik. Ne e konsiderojmë shumëllojshmërinë tonë si burim të krenarisë sonë, si burim të fuqisë dhe forcës sonë. Mendoj se kjo është gjithnjë e më shumë e vërtetë edhe në Kosovë. Nëse i shikoni artistët, muzikantët, figurat sportive të Kosovës, të cilët e shohin shumëllojshmërinë si fuqi dhe absolutisht ne jemi të përkushtuar për këtë.

Jeta Xharra: Pra, këto lojërat me kufij, çka mendoni për to? Lojërat mes Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen sipas vijave etnike. Çka mendoni për to?

Greg Delawie: Sa i përket dialogut, qëndrimi ynë është që t’ju japim të dy vendeve hapësirë për të negociuar një ujdi që do të ishte në interes të të dy vendeve dhe që do të ishte e pranueshme nga popullata e të dy vendeve dhe…

Jeta Xharra: Por, kushtetuta e Amerikës është e shenjtë, apo jo? Pra, a do ta konsideronit edhe Kushtetutën e Kosovës të shenjtë? Sipas kushtetutës sonë, Presidenti nuk ka të drejtë të ndryshojë kufijtë apo të negociojë një ujdi të tillë. Pse po e mbështetni këtë mosrespektim të Kushtetutës së Kosovës?

Greg Delawie: Shikoni, qëndrimi ynë është që t’ju japim të dy vendeve hapësirë për të negociuar një ujdi, të cilën do të mund ta shesin brenda në të dy rastet. Nuk do të hyj në atë se cilat janë elementet e asaj ujdie. Ma kanë shtruar pyetjen e njëjtë pesë herë në Rubikon para disa javëve dhe sot po përgjigjem njëjtë sepse përgjigja jonë nuk ka ndryshuar. I nxisim të dy vendet që të përpiqen për ta arritur një ujdi, nuk po ju ofrojmë ‘çek të zbrazët’ cila është…

Jeta Xharra: Nëse njerëzit e këtij vendi nuk e pëlqejnë atë ujdi, atëherë si do të jetë ajo e mundshme?

Takimi Thaçi- Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Foto: BE

Greg Delawie: Qëndrimi ynë është se çfarëdo ujdie duhet të mund të shitet brenda vendit në të dy vendet. Pra, nuk do ta përshkruaj saktësisht se si duhet të duket ajo ujdi. Pozicioni ynë tani është se ujdia duhet të vijë në mënyrë organike nga të dy vendet dhe ne po përpiqemi t’ju japim vendeve hapësirë për ta arritur ndonjë lloj ujdie.

Jeta Xharra: Në fund, cilat do të ishin tri këshilla të vogla për pasardhësin tuaj? Meqenëse keni përvojë trevjeçare me kuvendin tonë, institucionet, shoqërinë civile, cilat do të ishin tri këshillat e vogla?

Greg Delawie: Pa pasur shumë kohë për të menduar për këtë, do të thosha disa gjëra. E para, ka një ndarje gjigante ndërmjet njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe politikanëve. Dhe nëse flisni vetëm me politikanët, atëherë nuk do ta njihni Kosovën e vërtetë. Prandaj, mendoj, dil, dil jashtë qytetit, dil jashtë zyrës, ec nëpër male, shko në bare, në restorante, tako njerëzit e zakonshëm. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. E dyta, duhet të kesh vizion afatgjatë. Ka ditë të mira dhe ka ditë të këqija në Kosovë. Ka ditë kur të qëllojnë me thikë në shpinë dhe ka ditë ku ndihmojmë…

Jeta Xharra: Kur merr medalje?

Greg Delawie: Paj, për mua ka të bëjë me arritjen e objektivave, jo për diçka personale. Kështu, dita kur Kuvendi e ka miratuar marrëveshjen për shënimin e kufirit, mendoj se ajo ishte ditë njëmend e mirë për mua. Na u deshën dy vjet e gjysmë për ta arritur atë, por jam i lumtur që Parlamenti Europian, disi po e shtyn Kosovën drejt liberalizimit të vizave, gjë që është e mirë. Por, në afat të gjatë, duhet të ketë vizion afatgjatë. Sepse nuk do të jetë çdo ditë e mirë ku i përmbushni objektivat tuaja. E treta, 50 për qind të popullatës së Kosovës është nën moshën 25-vjeçare. Ky është burim i jashtëzakonshëm për Kosovën, por është diçka për çka duhet të jeni tepër të kujdesshëm mos ta humbisni. Duhet të siguroheni që ata njerëz rrinë këtu, që i kontribuojnë të ardhmes së vendit të tyre, që nuk shkurajohen nga prindërit e tyre, nga gjenerata ime, që çka bëjnë ata ka ndikim në të ardhmen e tyre. Pra, është shumë me rëndësi që të përqendrohemi në të rinjtë e Kosovës, të cilët vërtetë janë burim i forcës për të ardhmen.

Exit mobile version