Site icon PrishtinaPress

Gratë shkollohen, burrat punësohen

Në sistemin universitar të Kosovës studentet – vajza dhe gra – përbëjnë numrin më të madh, por kur është fjala për punësimin, gjinia e kundërt përfiton.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, papunësia në Kosovë është më e lartë për gratë për 25 për qind, krahasuar me burrat për 19 për qind.

E papunë është Liridona Ademi nga Fushë Kosova, e cila në vitin 2017 ka përfunduar studimet në drejtimin Menaxhim dhe Biznes në një ndër kolegjet private.

Për gjashtë vjet me radhë 31-vjeçarja tregon se ka aplikuar disa herë në kompani private, por deri më tash nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.

“Në të gjitha kompanitë që kam aplikuar, kriter ka qenë përvoja e punës. Nuk kam arritur të kem përvojë, pasi nuk kam punuar. Ky kriter vazhdimisht më ka penalizuar. Në sektorin publik nuk kam aplikuar asnjëherë, sepse është krijuar bindja se paraprakisht duhet të kesh të afërm ose familjarë që ta sigurojnë një pozitë të tillë ,” thotë Liridona.

Gjatë vitit akademik 2021/2022, numri i përgjithshëm i studentëve në të gjitha institucionet e larta arsimore ishte mbi 70.000. Më shumë se gjysma e këtij numri përbëhet nga vajzat dhe gratë – gjithsej 40.826, kurse 29.358 janë meshkuj.

Në mesin e studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, studimet bachelor i ndjekin edhe Arbenita Bytyçi dhe Shkëndije Behaj.

Ato nuk besojnë se mund t’i presë fati i Liridonës së papunë.

Shkëndije Behaj dhe Arbenita Bytyqi, studente në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
“Pas përfundimit të studimeve mendoj se do të ketë vende të lira të punës. Për këtë edhe jam duke u angazhuar që në të ardhmen të kem një mirëqenie për familje”, tha Arbenita.

Qasje të lehtë në tregun e punës, pas studimeve synon edhe Shkëndija nga Prishtina. Ajo dëshiron që profesionin si juriste ta ushtrojë në institucionet publike.

“Tashmë është më i lehtë sigurimi i një vendi të punës. Kanë filluar të rregullohen gjërat në Kosovë. Besoj se lehtë do të inkuadrohem në treg”, shprehet Shkëndija.

Problem për të siguruar një vend pune nuk ka pasur Gojart Mjekiqi.

Ai punon qe pesë punon në një Qendër Thirrjesh (Call Center) në Prishtinë.

“Vetëm vullneti nevojitet dhe aplikimi në çdo konkurs. Në fillim kam aplikuar në shumë vende të punës, derisa kam gjetur punë në drejtimin tim të studimeve, Letërsi dhe Gjuhë Gjermane. Dhe jam i kënaqur me punën time”, shprehet 25-vjeçari.

Në Kosovë, ai thotë se aktualisht ka mjaftueshëm vende të punës dhe nuk beson se mund të ketë dallime gjinore sa i përket punësimit.

Ndryshe, gratë në Kosovë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë. Nga rreth 1.8 milion banorë të Kosovës, më shumë se 905 mijë janë meshkuj dhe rreth 900 mijë gra.

Numri më i madh i grave paraqitet te të dhënat e popullsisë në moshë pune.

Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2021, prej më shumë se 1.2 milion qytetarëve në moshë pune, (nga mosha 15 deri 64 vjeçe), 613 mijë janë meshkuj dhe 618 mijë gra.

Dallimet gjinore në sektorin e punësimit janë të pranishme dhe mjedisi patriarkal paraqitet një ndër arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës, thuhet në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar nga instituti kosovar, Demokracia për Zhvillim, (D4D) i quajtur “(Pa)Fuqia ekonomike e grave në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas D4D, gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes, duke përfshirë përgjegjësinë e plotë për rritjen e fëmijëve.

Përveç kësaj, Drenushë Canolli nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye tjera janë pagat e ulëta, mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë ose pamundësia për t’i përballuar çmimet e tyre, transporti publik e të tjera.

Gratë përfundojnë duke kryer mesatarisht 5-6 orë në ditë në punë përkujdesjeje dhe kjo nuk i lejon ato të përfshihen në mënyrë aktive në tregun e punës, gjë që është baras me punë të papaguar.

Kjo kategori grash quhen joaktive, sipas D4D, pasi nuk janë as të punësuara, ndërsa janë tepër të zëna për të kërkuar punë.

Një fat të tillë e ka pasur edhe Zymretja, tashme 60 vjeç. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitet ‘80, për gati katër vjet kishte punuar si referente në Komunën e Skënderajt.

Pas martesës dhe lindjes së fëmijëve, kujton ajo, gjërat ndryshuan.

“Dëshira për punë ka qenë e madhe, por atëbotë mundësitë ishin të kufizuara, transporti jo i rregullt. Më pas lindën fëmijët dhe përfundova amvise duke u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë”, shprehet ajo.

Që nga përfundimi i luftës, tregon ajo, çdo vit ka kaluar duke shpresuar se ndërkohë do të siguronte një vend pune.

“Shumë merak më ka mbetur të punoj, çfarëdo pune. Kam pasur dëshirë të jem e pavarur financiarisht-por nuk arrita, sepse çerdhe nuk ka pasur mjaftueshëm dhe çmimi ka qenë i lartë”, tha ajo.

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.

Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.

Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.

Paga mesatare në Kosovë deri vonë ka qenë rreth 480 euro.

Në fillim të shkurtit ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro./PrishtinaPress/

Exit mobile version