Arsenali e lëshoi nga duart fitoren mbrëmë ndaj Liverpoolit, ndonëse “Gunners” në minutat shtesë rrezikuan të ktheheshin në shtëpi duarthatë.
Skuadrat barazuan 2:2 në ndeshjen e zhvilluar në “Anfield Road”, që nënkupton se “Topçinjtë” tash i kanë gjashtë pikë më shumë se rivali kryesor për titull të kampionit, Manchester City, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Granit Xhaka pas lojës e ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka motivuar shokët e skuadrës, përkundër barazimit me “Reds”.
Mesfushori kosovar insiston se ai me shokë janë të fokusuar totalisht tek objektivi i tyre, i cili është titulli i kampionit në Angli.
“Ne rigrupohemi, qëndrojmë së bashku dhe absolutisht e mbajmë fokusin tonë të plotë në objektivin tonë”, ka shkruar Xhaka në Instagram.
Edhe pse e ka orarin paksa më të vështirë se City, Arsenali prapë mbetet favorit për të festuar në fund.