Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar katër të dyshuar për disa raste të grabitjeve në rajonin e Ferizajt. Ata dyshohet se kanë kryer pesë grabitje të armatosura.
Katër të dyshuarit e arrestuar për grabitje janë: Xhemrush Salija nga Duraj, Shkelqim Roshaj nga Mollopolci, Muhaxhid Brava nga Kaçaniku dhe Fatlind Gashani nga Ferizaj, të cilët janë prirë nga Xhemrush Salija.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Xh.S., Sh.R.,M.B., dhe F.G., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Grabitja”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit duke vepruar si grup i përbashkët, kanë kryer grabitje të armatosura në pika të ndryshme të karburanteve në lokacione të ndryshme si dhe në zyrat e KEDS në Shtime, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ne bashkëkryerje “Grabitje” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu,në vendin e ngjarjes, nga Policia si prova materiale janë sekuestruar: Pistoleta e tipit F.B, nr 15567 me një karikator dhe 7 copë fishek te kalibrit 9 mm, pistoletë pa nr.serik me 2 karikator 15 copë fishek te kalibrit 9 mm, një kapelë e zezë dhe një palë dorëza të punës dhe një (1) jelek antiplumb.