Site icon PrishtinaPress

Goli i mbrëmjes shënohet nga ylli i Kombëtares Shqiptare

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, i cili aktivizohet me kampionët e Spartës së Pragës, i ka mrekulluar të gjithë me eurogolin e shënuar në minutën e 105-të, në duelin e vlefshëm për turin e tretë të Ligës së Kampionëve ndaj Kopenhagenit.

Me një gjuajtje të kalibruar nga goditja e dënimit, Laçi shtangu portierin kundërshtar, duke shënuar golin për 2-1.

Vlen të theksohet se mesfushori shqiptar e nisi këtë përballje nga stoli, teksa u aktivizua në minutën e 89-të. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1, teksa dueli iu drejtua minutave shtesë.

Në minutat shtesë u shënuan plot 4 gola, teksa rezultati përfundimtar i sfidës ishte 3-3. Në fund ishte skuadra daneze ajo që festoi, duke u kualifikuar falë “ruletës ruse”.

Penalltitë i buzëqeshën Kopenhagenit (2-4). Në gjuajtjet e 11-metërshave, u përfshi edhe Laçi.

I dyti në radhë shqiptari u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Krejçi dhe Sorensen ishin ata që gabuan për Spartën e Pragës, duke i dhuruar kualifikimin skuadrës daneze.

Exit mobile version