Luzerni ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Yverdon-Sport në kuadër të javës së 16-të në elitën e futbollit zviceran.
Golin e vetëm në këtë takim për mysafirët e shënoi reprezentuesi kosovar Donat Rrudhani i cili edhe një herë tjetër ishte vendimtar për ekipin e tij.
Rrudhani mori përsipër ekzekutimin e penalltisë në minutën e 55-të duke realizuar me gjakftohtësi për rezultatin 1-0.
Ky gol në fund doli të ishte i fitores pasi deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk u prekën më rrjetat.
Për Rrudhanin ky ishte goli i tretë këtë edicion të garave në Superligën e Zvicrës pas 14 ndeshjeve të luajtura.
Krahas këtyre golave të shënuar, Rrudhani ka edhe 2 asistime të dhuruara në drejtim të bashkëlojtarëve dhe mund të themi lirshëm se është shndërruar në një futbollist kyç të skuadrës.
25-vjeçari do ta ketë mundësinë që t’i përmirësojë edhe më shumë shifrat e tij kur vikendin e ardhshëm Luzerni do të jetë nikoqir i Luganos.