Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se fitimi i të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, do të kërkojë investimin më të madh që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, kjo është ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare që i mundësohet vendit. Po ashtu, Gola theksoi se Kosova do të jetë shteti i parë që do të organizojë këto lojëra në një vend i cili nuk ka det.
Në emër të Grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se ky organizim pritet të ketë ndikim në zhvillim të vendit, ku do të mirëpriten mbi 5 mijë sportistë nga 25 shtete anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Ky votim me 55 vota pro, tetë vota kundër dhe tri vota të pavlefshme nuk ishte vetëm dhënie e të drejtës për të organizuar ngjarjen më të madhe sportive në vend të mbajtur ndonjëherë, por mbi të gjitha ishte një përmasë e re ndërkombëtare që i jepet Republikës së Kosovës, sidomos në kuptim të faktorizimit dhe fuqizimit të mëtejmë ndërkombëtar. Organizimi i lojërave mesdhetare 2030 do të kërkojë një investim të konsiderueshëm dhe do të kap shumën rreth 250 milionë eurosh. Dhe ky investim do të jetë më i madhi pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Madje, nëse krahasohet me rajonin katalonas të Spanjës, Teragona dhe Oronin e Algjerisë të cilat organizuan edicionet e tyre mç 2018 dhe 2022, investimi i Kosovës në këto lojëra do të jetë shumëfish më i madh”, tha Gola.
Investimi i shpërndarë në gjithë territorin e Kosovës, siç shtoi Gola, do të ndihmojë për përfitimin nga investimet.
“Risia e këtij besimi të dhënë është edhe fakti që Kosova do të jetë shteti i parë që do të organizojë këto lojëra në një vend i cili nuk ka det, ose dalje në det. Dhe për këtë falënderojmë Republikën e Shqipërisë e cila ka ofruar Durrësin si vend që do të zhvillohen lojërat e lundrimit. 29 për qind e infrastrukturës sportive do të jetë e koncentruar në Prishtinë dhe 71 për qind në komuna të tjera”, shtoi Gola.
Ndryshe, Kosova e fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të mbajtur më 8 shtator në Kretë të Greqisë me 55 vota pro dhe 8 kundër.